U gjenden me armë pa leje, kapen dy të rinj
Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi janë kapur me armë pa leje. Njëri është kapur me pistoletë dhe është vendosur arrestimi i tij, ndërsa tjetri me një mjet të fortë dhe do të procedohet penalisht në gjendje të lirë. Burimet policore thanë se shërbimet e Komisariatit Nr. 4, rreth orës 03.00 arrestuan në flagrancë shtetasin Adrian Qemal Vathi, 27 vjeç, banues në Tiranë. Duke qarkulluar me mjetin tip “Volkswagen Passat”, me targa TR 6663 G, këtij personi iu gjet dhe bllokua një pistoletë pa numër, me mulli të modifikuar, me 4 fishekë. Këtë armë e kishte pa leje, kështu që policia vendosi arrestimin e tij. Ndërsa ndiqet në gjendje të lirë edhe shtetasi Denis Ramazan Dervishi, 21 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë, pronar i automjetit të sipërpërmendur, sepse në bagazhin e automjetit iu gjet një dorezë metalike përforcuese grushti. Në cilësinë e provës iu sekuestrua automjeti tip “Volkswagen”, katër fishekë, pistoleta dhe doreza metalike.
#