E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen krerët e trafikut të drogës, arrestohen 4 persona

Tiranë Pas 6 muajsh hetime, realizohet operacioni “ëmbëlsira”. Hetimi filloi që nga operacioni “Heshtja”

Pas gjashtë muajsh hetime, policia duket se ka zbuluar organizatorët e një trafiku droge, duke arrestuar katër persona, mes tyre dy vëllezër. Bëhet fjalë për më shumë se gjysmë toni drogë të bllokuar në fillim të këtij viti, për të cilën janë arrestuar mbi 13 persona, ndërkohë që dje janë arrestuar katër organizatorët dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë, gruaja e njërit prej tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se arrestimi i tyre u krye gjatë operacionit të koduar “ëmbëlsira” nga Drejtoria Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë. “Në pranga përfunduan Aldjon Faik Pirra, 32 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, dy vëllezërit Petrit dhe Brahim Asqeri Topi, 33 dhe 40 vjeç, banues në Barbullinjë të Lushnjës dhe Afrim Maliq Muka, 38 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë”, deklaroi policia. Arrestimi i tyre u bë në ekzekutim të vendimeve penale të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të narkotikëve” e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, po në kuadër të këtij operacioni u krye ekzekutimi i masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë, ndaj shtetases Enkelejda Riza Topi, 35 vjeçe. Ky operacion ka startuar që prej fillimit të vitit 2010 dhe në kuadër të tij janë evidentuar gjithsej 5 raste, ku nga Policia e Shtetit janë arrestuar në qytete të ndryshme të vendit edhe 13 shtetas të tjerë, të cilët janë kapur në flagrancë, duke trafikuar lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Sipas të dhënave policore, dy nga këto raste janë shënuar gjatë muajit mars në Kapshticë, një rast tjetër në Kakavijë, ndërsa rasti i fundit në Lushnjë. Gjithsej, deri në këtë fazë përmbyllëse të operacionit numri i të arrestuarve shkon në 18 persona, ndërkohë që është sekuestruar një sasi prej rreth 600 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, destinacioni i të cilës ka qenë shteti i Greqisë. Këta persona dyshohen edhe për drogën e bllokuar gjatë operacionit “Ndjekja”. Pikërisht më 7 janar të këtij viti, gjatë këtij operacioni u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth 644 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, e cila është gjetur e bllokuar në fshatin Goranxi. Sasia e lëndës narkotike të sekuestruar ishte vendosur në 28 çanta. Policia tha në atë kohë se nga strukturat e saj është bërë i mundur identifikimi i të dyshuarve të këtij trafiku, si dhe i kamionit me të cilin është kryer transporti i kësaj lënde nga fshati Lazarat në fshatin Goranxi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›