Biznesmenët në bashki: Shënoni dëmet para se të nisim punën
SHKODER- Largimi i ujit në pjesën më të madhe të lagjeve të qytetit të Shkodrës, ka bërë që banorët dhe përfaqësuesit e bizneseve të këtyre zonave të vërshojnë drejt bashkisë, për të kërkuar verifikimin dhe vlerësimin sa më të shpejtë të dëmeve të shkaktuara nga përmbytja. Sipas burimeve, më të ndjeshëm dhe më këmbëngulës në këtë drejtim janë bizneset. Para se të nisin punën, ata kërkojnë që përfaqësuesit e komisionit të vlerësimit të bëjnë konstatimet faktike të dëmit, të cilat duhet të mbahen në procesverbalet përkatëse. Kjo, sipas tyre, do të bënte që evidentimi i dëmeve të jetë sa më real dhe jo fiktiv. Me kalimin e ditëve dhe me largimin e ujit, këta banorë kanë frikë se vlerësimi i dëmeve do të jetë fiktiv. Sipas drejtuesve të Bashkisë Shkodër, vëmendja do të përqendrohet drejt periudhës së post emergjencave, çka do të thotë dalja në terren e grupeve të verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve. Por një gjë e tillë nuk mund të bëhet menjëherë pa u miratuar kriteret e përcaktimit se kush do të bëjë pjesë në këto komisione dhe si është menduar të bëhet kompensimi i banesave, pajisjeve shtëpiake të dëmtuara nga përmbytjet e ujit, etj. r.d