"FSHF, rrjet mashtrimi me pseudo-menaxherët"
Refik Halili ka akuzuar për të disatën herë federatën e cila sipas tij ka krijuar së fundmi edhe një rrjet mashtruesish, të ashtuquajtur menaxherë futbolli. Ka marrë Sebino Plaku, pak ditë më parë, por pranon se mund të ketë ndërhyrje nëse ndonjë lojtar largohet nga ekipi gjatë kësaj kohe, çka do ta detyronte të lëvizte për të plotësuar sërish boshllëqet. Ndërkohë, Refik Halili komenton dhe një herë raportet me Memellin dhe vështirësitë që ka futbolli shqiptar në tërësi, duke akuzuar sërish FSHF-në për lojën e pistë që po bën në merkato me pseudo-menaxherët e saj.Keni afruar Plakun, por ndërkohë Memelli duket jashtë ekipit...Tirana ka bërë një lëvizje të goditur këto ditë, pasi ka afruar në skuadër një tiranas, një lojtar të mirë dhe të dalë nga gjiri i saj, një futbollist i kompletuar si Sebino Plaku. Kjo nuk mund të vihet në diskutim. Me këtë rast dua të përshëndes dhe drejtuesit e Dinamos për korrektësinë në bisedime dhe në marrëveshjen që bëmë. Sa për Memellin mund të them se vazhdon të jetë lojtar yni, deri në momentin që ai të ketë gjetur një skuadër të huaj sipas dëshirës së tij. Po, por Memelli aktualisht është në provë te një ekipi i huaj... Ka shumë spekullim në të gjithë ç'është shkruar. Unë me Memellin kam një marrëveshje që po i përmbahemi deri në një. Këtu ka meritë dhe vetë lojtari. Nëse qëndron në Shqipëri ai do të luajë vetëm për Tiranën, kështu ka premtuar. E tillë ka qenë marrëveshja që bëmë. E keni mbyllur merkaton pas lëvizjes së fundit?është herët për ta thënë. Ne kemi një skuadër të kompletuar, por në merkato mund të ketë dhe "rrjedhje", pra mund të ketë ndonjë largim. Një nga arsyet që Plaku u bë pjesë jona ishte boshllëku që u krijua në sulm. Merkato pra varet edhe nga ndodhi të kësaj natyre. Megjithatë, unë premtoj se Tirana i realizon detyrat e saj dhe me këtë grup që ka. Ju keni ndonjë informacion se ku do të përfundojë Memelli?Nuk është detyrë imja, gjithsesi, di që kërkohet nga një klub i huaj. Ajo për të cilën më vjen keq është se shumë lojtarë tanët gabojnë me menaxherët. Tashmë qarkullojnë shumë menaxherë të tipit Haxhiaj, që të lidhur me FSHF-në kanë krijuar një rrjetë mashtrimi të vërtetë, që po dëmtojnë rëndë interesat e sportistëve, por në tërësi të futbollit tonë. Për se është fjala?Kanë shfrytëzuar disa mangësi të legjislacionit dhe këta pseudo-menaxherë që nuk derdhin asnjë taksë në shtet janë lidhur me FSHF-në, duke bërë pazar lojtarësh. Ju duhet të keni konstatuar që lojtarët që marrin përsipër këta pseudo-menaxherë bëjnë një qarkullim në Kombëtare, por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ata mashtrojnë me sportistët, prandaj është momenti që të ngrihet zëri. Unë ftoj të gjithë të interesuarit, mediat por edhe drejtues klubesh të reflektojnë. Ka dhe lojtarë të tjerë te Tirana që kanë oferta, jeni në dijeni?Janë spekullime. Më vjen keq që unë jam cituar që gjoja paskam kërkuar 200 mijë euro për kartonin e Sefës. S'është aspak e vërtetë. Madje më vjen keq që asnjë i afërm i Sefës apo ndonjë tjetër nuk më ka trokitur për një gjë të tillë.