Vrasja për hakmarrje në Kukës Sinani ekstradohet nga Anglia
TIRANE - Pas nëntë vitesh arrati dhe më shumë se tre vitesh të tjera në burgjet e Anglisë, oficerët e Interpol-Tiranës ekstraduan dje Afrim Sinanin. Ekstradimi është bërë në masa të forta sigurie. Afrim Sinani, i dënuar me 20 vjet burg për një vrasje të kryer në vitin 1996 në Kukës, mëngjesin e djeshëm ka zbritur i prangosur në aeroportin e Rinasit dhe i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për ekzekutimin e vendimit. Sipas policisë, i dënuari Afrim Sinani, 35 vjeç, baba i katër fëmijëve kërkohej nga drejtësia shqiptare për të përfunduar dënimin prej 20 vitesh burg të lënë në mes, pas arratisjes nga burgu i Bënçës në vitin 1997. Gjykata e Kukësit më 29 tetor 1996 e shpalli fajtor për vrasjen e Naim Sinanit, ngjarje e ndodhur më 4 janar 1996, të cilën ai në bashkëpunim me të vëllain Sokol Sinanin, pretendonin se e kishin kryer si hakmarrje për vrasjen e babait. Afrim Sinani u arrestua në Londër shtatorin e vitit 2006, me identitetin e rremë, Afrim Pulaj, si shtetas Kosovar, i akuzuar se kishte përfituar përmes mashtrimit 120 mijë sterlina asistencë nga qeveria britanike. Gjykata e Ekstradimeve në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2008 e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për ta ekstraduar, ndërsa avokatët e Afrim Sinanit e apeluan këtë vendim në Gjykatën e Apelit, e cila vetëm disa ditë më parë vendosi që ai të ekstradohej. Një artikull i disa ditëve më parë i një reviste britanike, për rastin e Afrim Sinanit shkruante se policët paralajmëruan 6 vite më parë se i kërkuari shqiptar përdorte emër të rremë. Interpoli madje publikoi në masë të gjerë edhe për qytetarët, nxori një foto të tij, si dhe gjurmët e gishtërinjve. Por, policia nuk e gjeti dot dhe çuditërisht atij iu dha një pasaportë britanike me identitet të rremë si shtetas nga Kosova. Sinani tani ka mbiemrin Pulaj, shkruhej në revistën "The People", dhe jeton në Ilford në lindje të Londrës me gruan e tij Myzaferen dhe tre fëmijët. Ai në Shqipëri është i dënuar me 20 vjet burg, për vrasjen e një personi, që sipas tij i kishte vrarë babanë. Por ai u arratis nga burgu në '97-ën dhe bashkë me gruan mbërriti me kamion në Britani në vitin 2000. Atij iu dha azil pasi deklaroi se ishte refugjat nga Kosova, vijon artikulli i revistës angleze. Në 2005-ën, Sinani siguroi dokumentet dhe mori shtetësinë britanike. Ministri i Emigrimit të qeverisë konservatore, Damian Grin thotë se ky skandal është shokues, pasi një kriminel është i lirë dhe lëviz në rrugët e Britanisë. Më këto fjalë mbyllej artikulli i "The People". Gjykatësi britanik pasi ka dëgjuar dëshminë e Afrim Sinanit dhe avokates Drita Veliu, e cila e mori në mbrojtje gjatë procesit në gjykatën e Kukësit ka arritur në përfundimin se ai nuk është një dëshmitar i besueshëm. Sipas gjykatësit Anthony Evans në paragrafin e fundit në faqen 2 të vendimit parashtrohen dy variante të ndryshme pohuar nga Sinani se ai nuk është arratisur nga burgu por u amnistua nga shteti. Që nga ky moment gjykatësi në faqen 3 të vendimit e cilëson Afrim Sinanin si dëshmitar jo të besueshëm duke i rreshtuar një mori me gënjeshtra deklaruar në gjykatë. Pas disa muajsh shqyrtimesh edhe Apeli e cilësoi si të tillë Sinanin dhe vendosi ekstradimin e tij në Shqipëri. e.d