E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tkurret harta e përmbytjeve, vetëm Velipoja e izoluar

 SHKODER/ RIDVAN DIBRAFalë edhe përmirësimit të kushteve të motit, situata në Shkodër shënoi dje përmirësime, duke e tkurrur ndjeshëm hartën e përmbytjeve. Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, njëkohësisht edhe kryetar i shtabit të Emergjencave civile për këtë qark, u shpreh me shifra në lidhje me situatën. Konkretisht, dje sipërfaqja e tokës së përmbytur, sipas raportimeve të kryetarëve të komunave dhe Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë është 8340 ha, nga 9340 ha që ishte një ditë më parë, apo 11 400 ha që ishte dy ditë më parë. Aktualisht janë duke u krijuar grupet e punës, të cilët do të kryejnë në terren vlerësimin e dëmeve të shkaktuara. Por më parë ata po presin udhëzimet nga Tirana, për mënyrën se si duhet ta kryejnë vlerësimin. Në qytetin e Shkodrës, uji pësoi rënie të ndjeshme, si në rrugën hyrëse të saj, ashtu edhe në lagjet e tjera, si në Ajasëm e Bahçallek. Ndërkohë që prania e ujit vazhdon të ndjehet në disa banesa në bregun e liqenit. Një ndihmesë të madhe në largimin e ujit kanë dhënë edhe forcat e emergjencave civile të Maqedonisë, të cilët me anë të disa pompave që ato i kanë sjellë vetë gjatë këtyre ditëve, kanë punuar në dy pika të Shkodrës për pastrimin dhe largimin e ujit nga dy kolektorë të qytetit. Me uljen e nivelit të prurjeve të lumit Drin dhe daljen në sipërfaqe të kolektorit të ujërave të zeza është vënë në punë edhe stacioni i pompimit. Probleme vazhdon të ketë për banorët e Malit të Jushit, ku niveli i ujit në këtë zonë vazhdon të jetë i lartë. Paradrekën e djeshme ishte në Shkodër edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila udhëhiqte një karvan me ndihma, për banorët e evakuuar dhe për kafshët, ndihma këto të siguruara nga komunat e Tiranës. Ndërkohë, rruga Shkodër- Velipojë vijon të jetë e bllokuar. Kalimi nëpër këtë zonë bëhet vetëm me anë të kamionëve të ushtrisë, të cilët lëvizin nga Mali i Jushit tek ura e Dedë Gjo Lulit. Edhe zona e Obotit vazhdon të ketë sërish probleme, pasi ulja e nivelit të ujit nuk ka qenë në ritme të tilla si në zonat e Bahçallekut apo të komunës Bërdicë. Por kjo shpjegohet edhe për vetë pozicionin gjeografik më të ulët të zonës në drejtim të rrjedhës së lumit Buna. Ndërsa komuna e Dajçit vazhdon të ketë probleme me lëvizjen në rrugë tokësore, në rrugën hyrëse të saj nga segmenti Shkodër- Velipojë. Rreth 32 fshatra të zonës së Nënshkodrës kanë mungesë të ujit të pijshëm, pasi stacionet e pompimit të tyre kanë pësuar përmbytje. Kjo situatë e krijuar ka detyruar shtabin e emergjencës t’i bëjë kërkesë institucionit të Shëndetit dhe të Higjienës në qarkun e Shkodrës që të bëjnë analizat kimike dhe bakteorologjike të ujit të pijshëm dhe më pas në varësi të përgjigjeve të këtyre analizave do të vendoset se cilat linja të ujësjellësit do të funksionojnë dhe cilat kanë nevojë që të pastrohen apo të dezinfektohen me klor. Deri në përfundimin e analizave uji do të konsumohet vetëm nga shishet e blera. Ulja e nivelit të ujit dhe dalja në sipërfaqe e një numri të konsiderueshëm të kafshëve të ngordhura, ka bërë që të shtohet alarmi i banorëve të këtyre zonave dhe i institucioneve të higjienës dhe të epidemiologjisë në qarkun e Shkodrës. Frika e përhapjes së epidemive ka detyruar përfaqësuesit e Drejtorisë së Bujqësisë, që të shpërndajë specialistët e saj në terren në ato zona ku uji është larguar për të krehur të gjithë zonën me qëllim zbulimin dhe asgjësimin e këtyre kafshëve. Më pas është menduar që këto zona të vendosen në karantinë dhe të bëhet dezinfektimi i tyre. "Por kjo gjë duhet bërë sa më shpejt, me qëllim që të parandalojmë infektimet e banorëve në këto zona", është shprehur Guri Beshi, drejtori i Bujqësisë dhe Ushqimit në qarkun e Shkodrës.Të dhënat e përmbytjesBashkia Shkodër    200 ha tokë të përmbytura, 616 persona të evakuuar dhe 300 shtëpi të përmbyturaKomuna Dajç2 mijë ha të përmbytura, 2 mijë persona të evakuuar dhe 1187 shtëpi të përmbyturaKomuna Ana Malit    1000 ha të përmbytura, 282 persona të evakuuar dhe 180 shtëpi të përmbyturaKomuna Velipojë2 mijë ha të përmbytura, 200 persona të evakuuar dhe 50 shtëpi të përmbyturaKomuna Bërdicë800 ha të përmbytura, 810 persona të evakuuar dhe 180 shtëpi të përmbyturaKomuna Guri Zi730 persona të evakuuar Komuna Bushat2000 ha të përmbytura, 500 persona të evakuuar dhe 250 shtëpi të përmbyturaKomuna Qendër, M.Madhe40 ha të përmbytura, 10 persona të evakuuar dhe 6 shtëpi të përmbyturaKomuna Rrethina300 ha të përmbytura, 25 persona të evakuuar dhe 16 shtëpi të përmbyturaGjithsej 8340 hektarë të përmbytur, 5173 të evakuuar dhe 2169 shtëpi të përmbytura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›