E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli: Të shkarkohen dy prokurorët

 Trazhgim SokolajKëshilli i Prokurorisë votoi dje me shumicë propozimin drejtuar kryeproku-rores Ina Rama, për shkarkimin e një prokurori në Tiranë dhe një prokurori në Elbasan, të akuzuar për abuzime me detyrën. Pas më shumë se tri mbledhjesh të shtyra radhazi me objekt procedimin disiplinor të prokurorëve Aleksandër Plepi në Tiranë dhe Ilir Gjevori në Elbasan, Këshilli i Prokurorisë ka votuar ditën e djeshme. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë se anëtarët e Këshillit votuan në shumicë për t'i propozuar prokurores së Përgjithshme shkarkimin e prokurorit të Tiranës Aleksandër Plepi, dhe prokurorit të Ebasanit (Librazhd), Ilir Gjevori. Këshilli i Prokurorisë kishte zhvilluar tre mbledhje më parë, me objekt votimin e procedimeve disiplinore ndaj dy prokurorëve, ndërsa kjo procedurë ishte shtyrë për shkaqe të ndryshme. Në mbledhjen e parë të këtij viti, pak ditë më parë Këshilli vendosi shtyrjen e vendimit në datë 15 janar 2009. Ditën e djeshme Këshilli është mbledhur dhe pas diskutimeve që kanë zgjatur disa orë, procedimet disiplinore për masa ndaj dy prokurorëve janë hedhur në votim. Sipas burimeve nga Prokuroria, me shumicë votash, anëtarët e këshillit kanë vendosur për masën e shkarkimit ndaj dy prokurorëve. Në përfundim të votimit, sipas burimeve nga mbledhja, të gjithë anëtarët kanë votuar pro shkarkimit të prokurorit Ilir Gjevori, ndërsa në rastin e prokurorit Aleksandër Plepi, pesë anëtarë janë shprehur për shkarkim dhe një anëtar për "vërejtje me paralajmërim". “Abuzimet” e prokurorëveProkurori i Tiranës i propozuar për shkarkim, Aleksandër Plepi është pezulluar nga detyra që në fillim të vitit 2009. Ai u akuzua nga njësia Task-Force Antikorrupsion për korrupsion. Fillimisht Plepi u la nga gjykata në "arrest me burg" për këtë akuzë, por më pas masa ndryshoi në "arrest shtëpie" ndërsa dosja i kaloi për kompetencë prokurorisë së Durrësit. Plepi u akuzua se kishte ndërmjetësuar për një shumë parash kundrejt së cilës do të ulej dënimi i shtetasit Besnik Brraka, i cili gjykohej nga bashkëshortja e prokurorit te gjykata e Krimeve të Rënda. I pranishëm në seancë, vetë prokurori Plepi i mohoi kategorikisht akuzat, vitin e kaluar. Ai tha se nuk i kishte takuar kurrë personat të cilët e akuzonin se kishte bërë negociata për para. Në seancë, palët paraqitën motrën e Besnik Brrakës, e cila tha nga ana e saj se nuk e njihte dhe nuk kishte dëgjuar kurrë për prokurorin Plepi. Transkriptimi i përgjimeve bënte me dije se prokurori kishte biseduar në telefon me shtetasin P. Dhiamanti, por i kishte thënë se nuk mund të ndërhynte për ulje dënimi, ai madje e kishte gënjyer disa herë personin e interesuar duke mos shkuar ta takonte. Gjykata e Krimeve të Rënda dha për Brrakën dënimin e kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzën e trafikut të drogës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›