E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Dënoni vrasësit e nënës tonë!”

21/05/2005  Vdiq nëna duke lindur 10 muaj më parë, dy të mitur dhe babai, protestojnë para Prokurorisë së Beratit

BERAT - Dy të mitur kërkojnë të dënojnë vrasësin e nënës së tyre, që për ta, janë mjekët, që e lanë të vdiste në spital, momentin kur do të lindte. Dhe për pesë orë me radhë, nga ora 08.00 deri në orën 14.00, së bashku me të atin e tyre, policin Arben Mançe, kanë qendruar te shkallët e organit të akuzës. Mospërfundimi i hetimeve rreth ngjarjes tragjike për këtë familje të ndodhur më 16.08.2004 ku nëna e dy fëmijëve, Mimoza Mançe, vdiq në spital, ishte qëllimi i kësaj proteste. Ndërsa vetë polici ka dashur të takoj prokurorin e rrethit, Xhemal Saliaj, dy fëmijët kanë qëndruar para dyerve të prokurorisë.

“Kam ardhur i detyruar nga fëmijët dhe së bashku me ta, për të protestuar për vdekjen e gruas, pasi në shumë raste fëmijët më thonë se, ti babi nuk po kujdesesh që të dënohet vrasësi e mamasë, e cila vdiq për faj të mjekëve dhe askush nuk mbajti përgjergjësi, qoftë edhe morale”, thotë babai i dy djemve, Arben Mançe.

Sipas tij, vonesa e tejzgjatur e hetimeve për gati 10 muaj, ka sjellë opinione të ndryshme dhe kryesisht thuhet se hetimet janë mbyllur. Bashkëshorti i viktimës, gruas shtatzënë, që vdiq në duart e mjekëve, 10 muaj më pare, mendon se duke protestuar së bashku me fëmijët do të ndërgjegjësojë strukturat përkatëse për zbardhjen e ngjarjes.

Arturi dhe Marsioni, përkatësisht 13 dhe 7 vjeç, kanë lënë shkollën në ditën e djeshme për të protestuar kundër organit të prokurorisë. Dy të vegjlit mendojnë se vrasësit janë bluzat e bardha.

Të dy të miturit thanë se “kemi ardhur për të kërkuar dënimin e vrasësit të nënës tonë, pasi jemi të bindur se nëna jonë ka vdekur për fajin e mjekëve, që në këtë rast kanë qënë vrasës dhe që vazhdojnë të mos mbajnë asnjë lloj përgjegjësie sikur nëna jonë të mos qe njeri”.

Ata mendojnë se faji i mjekëve sot i la jetimë. Por jo vetëm kaq, sipas tyre drejtësia nuk po vepron. Ata vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre dhe nuk kanë mbajtur asnjë përgjegjësi.

Pas orës 14.00, dy fëmijët janë marrë nga të afërmit e policit Arben Mançe dhe janë dërguar në shtëpinë e tyre në fshatin Otllak.

Kryeprokurori i rrethit, Xhemal Saliaj

“Dosjen e kemi ende nën shqyrtim“

“Kemi ende dosjen në shqyrtim. Nuk e kemi mbyllur dhe se jemi thuajse në fundin e hetimeve, ndërsa për prurjen e fëmijëve para organit të prokurorisë nuk e quaj të drejtë. Vetë bashkëshorti i viktimës të protestoj me të gjitha mënyrat, nëse ne dalim me një përfundim të keq, sipas tij, por jo me fëmijët. Dy të miturit i sqaruam për aq sa kuptojnë ata dhe kërkuam që vetë të afërmit e tyre t’i merrnin e t’i çonin në shtëpi. Dosja me numër 264 ka shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme si të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me probleme të mprehta, qoftë edhe për t’u parë nga ekspertët e saj, por jo për t’u mbyllur. Për ta kryer këtë ka kompetencë vetëm organi i prokurorisë së Beratit”.

Prokurori i çështjes, Artan Bejo

“Ardhja e fëmijëve nuk ndryshon asgjë”

“Dosja është ende në duart e mia dhe unë vazhdoj hetimin. Ndonëse kanë kaluar 10 muaj, ka dosje që vazhdojnë më shumë se kaq. Në këtë rast vetëm pritja e analizave shkoi jo më pak se tre muaj. Dhe pse ne morëm nën hetim mjekun Hebibaj që në momentet e para vetëm analizat na bënë të prisnim për më shumë se tre muaj. Ndërsa për këtë dosje hetimet janë drejt fundit. Jam i bindur se fundi i hetimeve do të jap një përgjigje të saktë rreth vdekjes së nënës së dy fëmijëve, 32-vjeçarja Mimoza Mançe. Gjithsesi, ardhja e fëmijëve nuk ndryshon asgjë. Ne vazhdojmë punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›