E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mirësevini në "Sin City", filmi i yjeve

21/05/2005  Eshtë prezantuar në Kanë filmi "Sin City" i regjisorëve Robert Rodriguez dhe Frank Miller, me prezencën e shumë yjeve hollivudinaë si Mickey Rourke, Bruce Willis, Benicio Del Toro, Jessica Alba, Clive Owen, Brittany Murphy, Michael Madsen, një film që mund të përshkruhet me pak fjalë: "Mirësevini në Sin City, qytetin e veseve dhe mëkatit"

Ndoshta, përveç skenarit dhe aftësive të tyre, regjisorët e filmit "Sin City", Robert Rodriguez dhe Frank Miller, i kanë peshuar mirë gjërat. Filmi i tyre është prezantuar dy ditë më parë në Kanë dhe ata i kanë mbështetur shpresat për një Palmë të Artë, jo vetëm te talenti i tyre apo te cilësia e skenarit të përzgjedhur, por edhe te kasti i aktorëve, ku tërheqin vëmendjen emra të mirënjohur, por edhe të shumëlakuar të Hollivudit, ku tërheq vëmendjen "djali" i keq Mickey Rourke. Pas një jete tepër të trazuar dhe larg filmave tërheqës, Rourke vjen përsëri në ekran, e për më tepër, në një film konkurrues në Festivalin e Kanës, por pa dyshim nuk mund të ketë një rol pozitiv, si për koincidencë me jetën e tij të "hallakatur". Por pranë tij tërheqin vëmendjen edhe emra të tjerë të njohur si Bruce Willis, Jessica Alba, Clive Owen, Brittany Murphy, Benicio Del Toro, Michael Madsen etj. Në ceremoninë tradicionale të ngjitjes së shkallëve, natyrisht të shtruara me tapetin e kuq, para prezantimit të filmit, pjesëtarët e ekipit realizues dhe të aktorëve, patën përkrah tyre edhe dy anëtarë të juries, Fatih Akin dhe shpërthyesen Salma Hayek, por edhe një idhull të hollivudit Morgan Freeman, të cilit i është rezervuar dje edhe një ceremoni homazhi nga organizatorët e Festivalit të Kanës.

Robert Rodriguez vjen për herë të parë në Kanë, me filmin "Sin City", një adoptim i librit komik të Frank Miller, i cili është edhe bashkëregjisor. Kaq i rëndësishëm ka qenë për Rodriguez ky prezantim në Kanë, ku, përveç emrave të mëdhenj të aktorëve është kërkuar edhe "ndihma" e një regjisori, aktori, gjithashtu tepër të mirënjohur Quentin Tarantino, në xhirimin e një segmenti të filmit. Tarantino ka qenë edhe kryetari i jurisë në festivalin e vitit të kaluar. Filmi është ndërtuar mbi tre histori, tre personazhe të përhumbur në kaosin e një qyteti të errët, që quhet Sin City. Hartigan është një polic, në fund të karrierës së tij, që është betuar të mbrojë Nansin, një striptiziere, Marvi (Rourke) është një kriminel brutal, por filozof, i cili do të hakmerret për vdekjen e Goldit, dashurisë së tij të vetme dhe së fundi Duajti, i cili e kalon gjithë natën duke ruajtur "vajzat" e tij nga ngacmimet e Xhaki "djalit", një polici të korruptuar dhe tepër të dhunshëm. Një film, ku disa janë të etur për hakmarrje dhe të tjerët në kërkim të shëndetit....

Dëshiroja të xhiroja filmin sipas Milerit dhe idesë sime...

Eshtë kjo deklarata e regjisorit Rodriguez në lidhje me këndvështrimin e tij mbi filmin. "Duke lexuar librat, unë gjeta imazhe fantastike. Gjithashtu u përpoqa që dialogjet të tingëllonin sa më të natyrshëm dhe jo siç rëndom i dëgjojmë nëpër filma. Dëshiroja të sillja në ekran vizionin e Frankut, ekzaktësisht si në librat e tij. Dëshiroja të realizoja një Sin City të Frank Milerit dhe jo të Robert Rodriguez. E dija se teknologjia që kisha mësuar, ndriçimi, fotografia, efektet vizuale, e bënin gjithçka të mundur. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me kinemanë eksperimentale, Rodriguez u përgjigj se "para se të fillonim xhirimet, Francis Ford Coppola erdhi për një vizitë në studion tonë. Duke parë pultin e miksazhit, ajo gati sa nuk bërtiti, kur tha: Kam dashur gjithmonë të kem një "qoshe" si kjo, ku si regjisorët, ashtu edhe aktorët, të mblidheshin dhe të flisnin e të realizonin kinemanë eksperimentale. Kjo thënie e tij më bindi që të kërkoja nga Quentin Tarantino të vinte e të na jepte 'një dorë ndihmë'. Eshtë një nder i madh të pranohesh në konkurrimin e Kanës, pasi ne jemi përpjekur maksimalisht të jemi kreativë". Clive Owen, në lidhje me emulacionin artistik të regjisorit, është shprehur se "Roberti ka zhvilluar rreth këtij projekti një ambient krijues shumë të shëndetshëm. Ai ka ditur të kuptojë dhe zbërthejë universin e Frank Milerit, të rikrijojë personazhet, dialogjet, duke krijuar një botë të tijën. E më pas zbarkoi Tarantino, i cili na krijoi përshtypjen se një burim tjetër frymëzimi erdhi të ushqente procesin".

Fjala "dhunë", moda e ditëve tona...

Ndoshta për dhunën në film u desh ndërhyrja e vetë Frank Milerit, si autor edhe i librit. Eshtë një element që e ndeshim gjithmonë e më shumë në kinematografi dhe gazetarët nuk mund ta anashkalonin këtë fenomen. "Fjala 'dhunë' është në modë, në ditët tona... Por kam përshtypjen se unë nuk shtyj askënd drejt dhunës. Kjo do të thotë se unë nuk i besoj teorisë se spektatori prodhon në jetë atë ç'ka sheh në ekran. Historitë e mia janë ekstreme dhe të tilla do të jenë gjithmonë. Gjithashtu, ne e dimë fort mirë se japonezët prodhojnë filma dhe filma vizatimorë nga më të dhunshmit në botë, por, megjithatë Japonia është vendi me shkallën e kriminalitetit nga më të ulëtat në Botë", ka deklaruar për mediat Miler. Ndërsa regjisori Rodriguez, duke i ardhur në ndihmë kolegut të tij, është shprehur në lidhje me këtë problem se, "filmi është identik me librin komik, pra kaq mirë i ndërtuar, sa nuk kemi patur asnjë problem me censurën. Kemi të bëjmë me një film konceptual, larg realitetit. Në fund të fundit, 'Sin City' është një film i zi". Çështja e dhunës u gërshetua edhe me atë të lirisë artiske, ku Rodriguez është përgjigjur se "ju mund të keni të gjithë lirinë që kërkoni në krijimin tuaj, mjafton që buxheti të mos jetë shumë i madh. Eshtë normale që investitorët të mos dëshirojnë humbjen, apo të paktën të fitojnë ato që kanë harxhuar. Në këtë rast, ju keni një situatë të favorshme, më krijuese, më eksperimentale, të shkosh në limite, të jesh sa më origjinal që të mundesh. Nuk besoj se gabohem në rast se them se asnjë nga aktorët nuk ka ndjerë asnjë presion të veçantë". Natyrisht që fenomeni Mickey Rourke nuk mund të kalonte pa rënë në sy, por Miler ka dhënë përgjigjen e duhur. "Nuk i njihja mirë filmat që kishin dalë këtë vit. Kur Roberti më kërkoi të mendoja për Mickey Rourke, në rolin e Marvit, nuk dija se ç't'i thoja. Shkuam ta takonim. Ai na priti me qenin e tij në duar. Folëm rreth 30 minuta. Në përfundim të bashkëbisedimit tone, unë kisha shkruar mbi bllokun e shënimeve: Mickey Rourke është Marvi. Askush nuk mund të dyshonte për këtë". Përgatiti: Leonard Olli

Synopsis

"Sin City" është një film i mbushur me kriminelë, policë të korruptuar dhe gra fatale... Hartigan është betuar të mbrojë jetën e Nansit, një striptizere me të cilën e ka humbur toruan. Marv, pavarësisht se një kriminel brutal, është filozof dhe ka si mision të jetës së tij të hakmerret për vdekjen e Goldit, vjazës se vetme me të cilën kishte qenë i dashuruar marrëzisht. Duajt është i dashuri sekret i Shellit. Por, ai i kalon të gjitha netët, duke mbrojtur Gailin dhe vajzat e tjera nga Xhaku "djali", një polic i korruptuar, i dhunshëm dhe i paparashikueshëm. Një qytet ku mbizotëron krimi, ku disa kanë dëshirën dhe etjen për t'u hakmarrë, e të tjerët janë në kërkim të shëndetit të tyre. E gjithçka mund të ndodhë në këtë qytet të errët, ku vetëm tabela mungon për të thënë: Mirëserdhët në Sin City, qytetin e veseve dhe mëkatit!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›