Biznesmeni 33-vjeçar, peng për pagesën e qirasë, tre në kërkim
Tiranë Pengmarrja e një 33-vjeçari, pronar i një pike bastesh dhe i një furre buke, ka alarmuar për më shumë se dy orë policinë e Tiranës. Pasditen e djeshme Sajmir Shenjatari e ka parë veten peng të tre personave, të cilët e kanë rrëmbyer atë pranë lokalit të tij dhe e kanë lënë të lirë me ndërhyrjen e policisë, në Kinostudio.
Ngjarja është regjistruar pasditen e djeshme në rrugën “Kujtim Laro” në Tiranë, ose siç njihet ndryshe, pranë “Profarmës”, ku dëshmitarë të ndryshëm kanë parë tre personat tek hipnin dhunshëm në makinën e tyre 33-vjeçarin. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje mësohet se Shenjatari dhe 3 personat kanë debatuar fillimisht në ambientet e jashtme të pikës së basteve, e më pas e kanë marrë me forcë atë, duke e hipur në një makinë dhe duke u larguar me shpejtësi në drejtim të malit të Dajtit. Kanë qenë banorët e zonës dhe familjarët e 33- vjeçarit, ata që njoftuan forcat e policisë, të cilat mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe nisën punën për zbardhjen e saj dhe për identifikimin e autorëve. Falë dëshmive të marra nga banorët e zonës, policia ka mundur të identifikojë përmes targës makinën e pengmarrjes, e më pas edhe pronarin e saj. Menjëherë pas marrjes së informacionit, forca të shumta policie janë vënë në ndjekje të automjetit, ku pas negociatave të shumta është bërë i mundur lirimi i pengut, ndërsa 3 pengmarrësit arritën t’i shpëtonin policisë. Mësohet se forca të shumta të policisë janë vënë në ndjekje të 3 pengmarrësve, të identifikuar tashmë si Esat Lugja, Artur Gjakova dhe Altin Loshaj. Nga ana tjetër, pas verifikimeve të kryera dhe pas dëshmisë së marrë nga Sajmir Shenjatari, është arritur të zbardhet motivi i saktë i pengmarrjes. Burime nga policia bëjnë të ditur se prej disa kohësh, 33- vjeçari u kishte borxh një shumë të konsiderueshme parash njërit prej pengmarrësve, pasi nuk i kishte paguar qiranë prej disa kohësh. Pas bisedimeve të shumta dhe pas refuzimeve të Shenjatarit për të paguar shumën e parave, pasditen e djeshme tre personat e morën me dhunë nga ambientet e lokalit që ishte në pronësi të tij dhe e mbajtën peng për më shumë se dy orë, duke alarmuar të gjitha forcat e Policisë së Tiranës. Por falë ndërhyrjes në kohë nga ana e efektivëve blu u bë i mundur evitimi i çdo të papriture dhe lirimi i pengut. Ndërkohë, forca të shumta policie janë duke vijuar punën për arrestimin e tre personave përgjegjës për këtë ngjarje, të cilët kanë lënë të lirë pengun në afërsi të Kinostudios, e më pas janë larguar për t’u shpëtuar prangave.
Pengu
Sajmir Shenjatari u mor peng pasditen e djeshme nga tre persona, të cilët u larguan me makinën e tyre në drejtim të malit të Dajtit. Dy orë më vonë, ai u la i lirë
Motivi
Policia po heton në pistën e pengmarrjes, për qiratë e papaguara nga ana e 33-vjeçarit. Pas debatit me pronarin e banesës, ky i fundit e ka marrë peng