Mblidhnin krom në galeri, vdes gruaja, plagoset bashkëshorti
41-vjeçarja ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të gazit. Ndërsa një tjetër minator është plagosur në minierën e Kalimashit
KUKËS Dy ngjarje të rënda janë shënuar ditën e djeshme në Tropojë dhe në Kukës. Bilanci tragjik ka shënuar vdekjen e një gruaje 41-vjeçare, si dhe plagosjen e burrit të saj, si pasojë e shpërthimit të gazit në një galeri miniere në një fshat të Tropojës. Ndërsa një 44-vjeçar ka qenë duke punuar në minierën e Kalimashit në Kukës dhe ka mbetur i vdekur, pasi është zënë poshtë nga masivi i gurëve.
Tropojë
Ndërsa minatorët janë ngritur në protestë, dy persona kanë mbetur të vdekur gjatë ditës së djeshme në qarkun e Kukësit në galeritë e kromit. Një grua 41-vjeçare, nënë e tre fëmijëve të mitur, ka humbur jetën në minierën e braktisur, ndërsa është plagosur bashkëshorti saj. Aksidenti ka ndodhur në Kam të Tropojës. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, në fshatin Kam të komunës Bytyç, në afërsi me rrethin e Hasit, ku Basri Jahelezi 41 vjeç dhe gruaja e tij Hajrie, 40 vjeç, janë asfiksuar nga gazrat e galerisë ku kanë qenë duke nxjerrë krom. Të dy bashkëshortët kanë mbetur pa ndjenja në galeri, ku janë gjetur nga një bashkëfshatar i tyre i cili ka njoftuar policinë. Pasi i kanë dërguar në spitalin e Krumë, 41-vjeçari ka arritur të mbijetojë ndërsa gruaja e tij ka vdekur. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë efektivët e policisë, të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Një nga të afërmit e familjes Jahelezaj tha se "Dy bashkëshortët ishin të rrënuar ekonomikisht dhe bënin këtë punë për të mbajtur fëmijët me bukë. Zoti deshi të shpëtonte të paktën burrit, që të kujdeset për tre djemtë e mbetur pa nënën e tyre". Prej shumë vitesh, në galeritë e braktisura të kromit dhe mineraleve të tjera, kanë punuar fshatarët pa asnjë kusht sigurie, ku kanë ndodhur një numër aksidentesh. Para disa muajsh në Golaj të Hasit gjetën vdekjen dy persona, të cilët kërkonin mineral në kushte joteknike. Pas Kamit në Tropojë, aksidenti në minierën e kromit është rikthyer edhe në minierën e Kalimashit në Kukës brenda një dite.
Kukës
Një minator ka humbur jetën, pas plagëve që ka marrë nga shembja e galerisë të premten rreth orës 15. Sipas policisë, Avdi Gjuni 44 vjeç, banor i Kalimashit, është aksidentuar rëndë nga shembja e gurëve në galeri. Gjuni është dërguar më pas menjëherë në spitalin e Kukësit, ku ka rezultuar se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë dhe është kërkuar ndihma e helikopterit. I plagosuri është transportuar për në Tiranë, ku ka humbur jetën ende pa mbërritur në Spitalin Ushtarak. Miniera e Kalimashit është më e madhja në këtë zonë dhe shfrytëzohet nga minatorët pa asnjë kusht teknik.