Skandali/ Pallati në qendër të qytetit shemb rrugën dhe rrezikon ndërtesat
PESHKOPI Ndërtimi i një pallati në qendër të qytetit të Peshkopisë ka krijuar probleme serioze në intrastrukturë dhe ka shqetësuar banorët e lagjes Kamen. Një subjekt privat që pretendon se ka siguruar leje ndërtimi nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë Peshkopi ka nisur të ndërtojë themelet e një pallati që nuk dihet me sa kate do të jetë. Mirëpo pa përfunduar hedhja e betonit të themeleve është shembur rruga që lidh qendrën e qytetit me lagjen Kamen si dhe janë në rrezik dhjetra shtëpi private e ndërtesa të tjera. Banorët pranë shembjes masive thanë se kanë dërguar disa letra në bashki dhe prefekturë dhe nuk kanë marrë një përgjigje nga autoritetet lokale. “Siç e shihni rreziku është shumë i madh, tha N. Ismaili, banor i lagjes Kamen, shtëpia e të cilit është në rrezik serioz. Kemi vajtur te kryetari i bashkisë dhe prefekti dhe fillimisht na thanë se do të interesohen për shqetësimin tonë, ndërkohë më vonë kanë hedhur. Është shembur të paktën 80 ml rrugë kryesore në qytet, kanë rënë në themelet e pallatit qindra metra kub inerte dhe rrështitja vazhdon në shpatin e mbjellë me pisha, mbi të cilat janë shtëpitë tona të banimit. Kjo tokë është e paqëndrueshme dhe jemi habitur si kanë guxuar të japin leje ndërtimi, kur dihet se ujrat nëntokësore janë shumë afër dhe toka rrëshqet. Ishin ndërtuar dekada më parë mure mbajtës, ndërkohë tani gjithçka është shkatërruar”-tha Ismaili një burrë rreth të 70-ave që rri me ankth se shtëpitë një ditë do të shemben. Të tjerë banorë të lagjes Kamen thanë se prej disa ditësh nuk flenë gjumë, madje shohin dita-ditës se si rrëshqet toka, se si firma vijon çuditërisht punën për ndërtimin e pallatit. Zyrtarë të Bashkisë Peshkopi nuk pranojnë të prononcohet për mediat. Kryetari nuk gjen kohë të presë gazetarët, ndërkohë porositet nënkryetari që të mos flasë. Ndërkaq, përgjegjësi i urbanistikës thuhet se ka nisur pushimet e verës. Sekretari i përgjithshëm i Prefekturës, Hajri Begu, tha se prefektura nuk shqyrton anën ligjore të lejeve të ndërtimit. Ai pranon se ka marrë një letër nga banorët e lagjes Kamen dhe se atë ia ka përcjellë Bashkisë Peshkopi. Megjithëse është një katrahurë e vërtetë në qendër të qytetin të Peshkopisë, asnjë institucion shtetëror nuk reagon, madje ka një heshtje të pakuptimtë, përballë rrezikut të madh të shembjes së shtëpive e ndërtesave. P. HASA