Biznesmeni: Si rashë pre e piramidës
Etleva Delia
Pronari i një taverne të njohur në Tiranë është një nga “viktimat” e dy personave të arrestuar dy ditë më parë në Tiranë me akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit në shuma të mëdha. Biznesmenë, persona me arsim të lartë e madje edhe gazetarë, kishin rënë pre e skemës mashtruese me premtimet për pasurim të shpejtë. Perfeksioni, me të cilin vepronin Valon Kyçyku e Burim Haxhiolli, tashmë të arrestuar, e kishte bërë “biznesin” e tyre të besueshëm për shumë njerëz. Një nga personat që ka rënë pre e mashtrimit të dy kosovarëve është edhe një biznesmen, pronar i një taverne të njohur në Tiranë. Ai nuk preferon që emri i tij të bëhet publik, megjithatë ka treguar dje skemën e mashtrimit që është përdorur në rastin e tij nga dy të arrestuarit. Biznesmeni tregoi dje për gazetën momentin e parë kur është njohur me Valon Kyçykun dhe Burim Haxhiollin si dhe bisedat me ta, për të cilat thotë se nuk do të dyshonte asnjëherë. Të arrestuarit e kishin bindur biznesmenin të depozitonte në llogarinë bankare të dy kompanive fiktive të mashtruesve shumën prej 2290 eurosh. Pasi ka bërë këtë pagesë, biznesmeni ka bindur edhe nipin e tij dhe dy miq që të bënin edhe ata të njëjtin veprim, duke “hyrë në lojë” teksa paguanin nga 2290 euro secili. Nga e gjithë kjo histori mashtrimi, që ka zgjatur rreth 3 muaj, administratori i tavernës ka mundur të marrë vetëm 500 euro, nga 2290 eurot që kishte investuar në piramidën e kosovarëve. Biznesmeni tha se do të bëjë denoncim në polici për të dy personat, që tashmë janë arrestuar. Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë ditës së djeshme, veç 100 personave që u shoqëruan dhe dhanë deklarime gjatë operacionit “Rruga pa sukses” mbrëmjen e të mërkurës, në polici kanë depozituar kallëzimet e tyre edhe pesë persona të tjerë të paraqitur, pasi kanë mësuar lajmin për arrestimin e mashtruesve. Sipas të dhënave të deritanishme, numri i personave të mashtruar gjatë aktivitetit të dy kosovarëve është mbi 400.
BIZNESMENI I MASHTRUAR
Pronari i një taverne në njohur në Tiranë, dëshmoi dje skemën që kishin përdorur dy kosovarët për t’i marrë paratë. “Dy kosovarët i kam njohur gati 3 muaj më parë, kur erdhën në lokalin tim të shoqëruar nga dy vajza, që m’i prezantuan si të fejuarat e tyre”, tha biznesmeni nga kryeqyteti. Pasi e kanë ftuar të ulej në tavolinë me ta, duke i ofruar diçka për të pirë, dy të akuzuarit për mashtrim kanë hyrë direkt në temë, duke e pyetur rreth biznesit të tij, se si e administronte, madje duke i sugjeruar se si mund ta përmirësonte dhe ta zgjeronte këtë aktivitet. Biznesmeni shpjegoi se nga pamja, bisedat dhe termat që përdornin, dy kosovarët nuk e kishin lënë në asnjë moment që të dyshonte për ndonjë mashtrim të mundshëm. Madje sipas tregtarit, kur i ofruan që të kryente disa seanca leksionesh, në një sallë që kishin marrë me qira, ai ishte gati të paguante edhe 2-fishin e parave që ata i thanë se duhej t’i depozitonte në llogarinë bankare që ata kishin hapur. “Vetë shuma që duhej të derdhja në llogari, 2290 euro, nuk më bëri të dyshoja në asnjë moment, sepse nuk ishte një shifër e rrumbullakosur, madje kur u thashë se mund të depozitoja edhe 4 mijë euro, ata ngulën këmbë që vlera ishte e përcaktuar 2290 euro”, u shpreh biznesmeni. Më pas ata i kanë treguar kushtin që kishin, në mënyrë që “studenti” i tyre të rimerrte paratë derdhura në llogarinë e tyre. Biznesmeni tregoi se paratë mund t’i merrte mbrapsht, pasi t’u dërgonte edhe 3 persona të tjerë, që të studionin për biznes, në sallën e tyre të konferencave ku jepnin leksionet dhe mbanin fjalime me objektin “Si të bëheni biznesmenë të suksesshëm”. Biznesmeni thotë se edhe pse “rekrutoi” për piramidën edhe tre persona të tjerë, që gjithashtu paguan shumën e caktuar prej 2290 euro, për tre muaj, ai arriti të merrte vetëm 500 euro, edhe pse me dy kosovarët qëndronte vazhdimisht, mbante kontakt me ta e madje kishte edhe numrat e tyre të kontaktit në telefon.
“Piramida”, hetim edhe në Kosovë e Maqedoni
TIRANE – Policia dhe Prokuroria shqiptare janë duke kryer hetime në bashkëpunim me vendet e rajonit për veprimtarinë e dy të arrestuarve për mashtrim në Kosovë dhe Maqedoni. Pas verifikimit të më shumë se 400 qytetarëve të mashtruar në Tiranë, Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, ka mësuar se dy kosovarët kishin krijuar dy kompani: “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”. Sipas hetimeve, kompania e parë “Euro Life” ishte regjistruar në Qipro dhe figuronte me një filial në Shkup të Maqedonisë. Ndërkohë, kompania e dytë nuk ishte regjistruar në asnjë prej shteteve, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo në ndonjë vend tjetër. Sipas prokurorisë, kjo kompani ka qenë fantazmë. Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me policinë, mësohet se po hetojnë bashkërisht nëse personat e arrestuar në Tiranë kanë kryer të njëjtën veprimtari mashtruese edhe në Kosovë dhe në Maqedoni. Sipas burimeve nga hetimi, shumica e parave të qarkulluara, shuma e të cilave besohet se i kalon 800 mijë euro, është përdorur në emër të kompanisë, e cila nuk ishte regjistruar në institucione. tr.so