Në gjyq 19-vjeçari për tentativë vrasje
TIRANE – Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë dosjen në ngarkim të një 19-vjeçari të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë. Bëhet e ditur se prokuroria ka mbyllur hetimet për Elson Shehin. Dosja në ngarkim të tij është regjistruar pak ditë më parë në sekretarinë e gjykatës dhe në ditët në vazhdim pritet nisja e shqyrtimit të saj. Sipas prokurorisë, Elson Shehi është dërguar si i pandehur në gjykatë për akuzat e “vrasjes me dashje, mbetur në tentativë” dhe të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Referuar burimeve zyrtare të Gjykatës së Tiranës, mësohet se dosja penale ndaj Shehit do të shqyrtohet nga gjyqtari Arben Micko. Ngjarja për të cilën akuzohet Shehi është shënuar në ditët e para të vitit 2009 në ambientet e një lokali në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Sipas burimeve policore, ai ka qëlluar katër herë me pistoletë në drejtim të Denis Redhajt, 24-vjeç, me qëllim për ta vrarë. Por vetëm një nga plumbat e shkrehur ka prekur 24-vjeçarin, duke i shkaktuar atij plagë të parrezikshme për jetën. ar.ba