Sherri për parkimin, plagoset 36-vjeçari
TIRANE - Një 36-vjeçar mbeti i plagosur dy ditë më parë në Tiranë, nga dy goditje me thikë, pas një sherri me një person ende të paidentifikuar. Shkak i konfliktit mësohet se ka qenë parkimi i makinës. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së enjtes, në parkingun në anë të rrugës, tek kryqëzimi i Parlamentit, pranë Shkollës së Mesme Ekonomike. Burime nga policia thanë se i plagosuri është 36-vjeçari, Arjan Memli nga Tirana, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes ka mundur të largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është ndaluar nga policia. Konflikti mes të plagosurit dhe autorit dyshohet se ka nisur pas një sherri të momentit në vendin ku ata kërkonin të dy që të parkonin makinat. Asnjëri nuk i ka hapur rrugë tjetrin dhe në këtë mënyrë sherri është shoqëruar me fyerje e më pas në përdorimin e thikës nga autori. Një dëshmitarë, i ndodhur rastësisht në vendin e ngjarjes, ka lajmëruar policinë duke i shpjeguar edhe rrethanat se si kishte ndodhur ngjarja.