E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Prokurorëve, kundër ligjit të ri “Antimafia”



Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve shqiptarë, Pehlivan Malaj, ka deklaruar se ndryshimet në ligjin ekzistues “Antimafia” jo vetëm që nuk do të përmirësojnë punën e organeve kompetente për ta zbatuar këtë ligj, por përkundrazi, do ta ngatërrojnë atë. Edhe si kreu i kësaj shoqate, ai shprehet kundër ndryshimeve në ligj. "Duke pasur një ligj të plotë unë mendoj se shtesat që tentohen t'i bëhen do të krijojnë konfuzion në zbatimin e tij", - tha Malaj.
Për pikën më të debatueshme, atë të termit “pasuri e pajustifikuar”, prokurori Malaj deklaron se ka të ngjarë që çdo shtetas që ka shmangur detyrimet tatimore apo doganore dhe ka përfituar shuma të hollash që nuk i justifikon dot, mund të akuzohet sikur i ka fituar ato në pjesëmarrje në krim të organizuar. Për disa rregullime në ligjin “Antimafia” janë shprehur kundër disa dhoma avokatie të rretheve gjyqësore, Shoqata e Prokurorëve dhe një pjesë e mirë e juristëve më të njohur në vend. Një ditë përpara miratimit në Parlament të këtij ligji, maxhoranca ka hedhur poshtë deklaratat e Partisë Socialiste se ligji është antikushtetues dhe se cenon të drejtat e njeriut. Sipas Viktor Gumit, i ngarkuar nga Komisioni i Ligjeve për këtë draft, ky ligj, që nuk ndryshon thelbin e ligjit të 2004-s, i jep në mënyrë të detajuar Prokurorisë të drejtën që mbi bazën e dyshimeve të ngritura në rrethana faktike, t’i kërkojë gjykatës sekuestrimin dhe më pas konfiskimin e pasurive të dikujt që dyshohet se pasuria e tij rrjedh nga krimi i organizuar dhe trafikimi.

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›