Gatuzos së Milanit i vodhën makinën në Itali, gjendet në Tiranë
TIRANË – Pas Bekamit, edhe futbollisti i Milanit, Gatuzo, ka rënë pre e grabitjes nga shqiptarët. Mjeti që përdorte ylli italian i fushës së gjelbër është gjetur në Tiranë. Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit bëjnë të ditur se makina tip “Range Rover”, me targa CW 542YG, e grabitur në Milano më 2 tetor të 2006-ës, është kapur në Tiranë. Poseduesi i mjetit i kishte vënë targat e reja TR 0056 P dhe e ka përdorur për më shumë se dy vjet në Shqipëri. Sipas të dhënave të Policisë, aksioni u finalizua këtë të mërkurë nga skuadra e Antitrafikut të Tiranës, ndërsa dyshohet se automjeti ka hyrë në territorin shqiptar nga një shtetas italian. Menjëherë ka nisur procedimi penal për poseduesin e mjetit dhe hetimet për ciklimin dhe targimin e makinës. Poseduesi i makinës është një i ri shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur dhe nuk dihet nëse ka qenë pjesë e rrjetit të grabitësve, apo e ka blerë atë.
Të njëjtin fat ka pasur edhe futbollisti anglez, Dejvid Bekam. Makina e tij tip “BMW” u vodh nga një grup trafikantësh nga vendet e rajonit, ku u dyshua se ishin të përfshirë edhe shqiptarë, dhe u kap në kufirin maqedonas, teksa po kryente procedurat për të hyrë në vendin tonë.
Gjatë kohëve të fundit janë ndaluar disa shtetas të huaj, të cilët kanë qenë të implikuar në rrjetin ndërkombëtar të grabitjes së mjeteve motorike. Në disa raste, të huaj dhe shqiptarë organizonin grabitje makinash në vendet e origjinës dhe pasi i sillnin në Shqipëri, denoncoheshin në vjedhura. Policia ka kryer disa operacione për gjetjen e makinave të denoncuara si të vjedhura në vendet e BE-së. Para dy javësh, Prokuroria e Përgjithshme përfundoi procedurat për tri mjete luksoze të vjedhura në Itali dhe Gjermani dhe bëri dorëzimin e tyre tek autoritetet përkatëse.
12 Nentor 2009