E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli anashkalon Kuvendin për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së



Laureta Rryçi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vendos të anashkalojë institucionin që ajo drejton në lidhje më ligjin për Konferencës Kombëtare Gjyqësore. Pas debateve të ditëve të fundit, Topalli ka dalë në një deklaratë për shtyp për mediat, duke shprehur qëndrimin e saj se është pro gjyqtarëve për të vënë në funksionim këtë konferencë me vetërregullim. “Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. Sot, një pjesë e organeve të medias kanë informuar rreth debateve të fundit brenda Gjyqësorit lidhur me nevojën për rizgjedhjen e përfaqësuesve të rinj të Konferencës Kombëtare të Gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Lidhur me këtë shqetësim të Gjyqësorit shqiptar, kryetarja e Kuvendit kërkoi informacion nga të zgjedhurit e Kuvendit në KLD”, - thuhet në deklaratën e bërë publike në faqen zyrtare të Kuvendit.
Qëndrimi
Tashmë kryetarja e Kuvendit e ka dhënë qëndrimin e saj në lidhje me një nga çështjet më të debatueshme gjatë këtyre ditëve. Sipas deklaratës për shtyp në takimin e djeshëm mes kryetares Topalli dhe përfaqësuesve të KLD-së, të zgjedhur nga ky institucion, ajo ka konfirmuar qëndrimin e Kuvendit në mbështetje të plotë të autonomisë së Gjyqësorit. “Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. Për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton Parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit t’i përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD”, - mësohet se ka deklaruar dje Topalli.
Mbështetja
Duket se për këtë çështje kryetarja e Kuvendit ka preferuar të jetë e drejtpërdrejtë. Sipas saj, të drejtat e Gjyqësorit për t’u përfaqësuar në KLD me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush. Është në të drejtën e Gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet bosh në KLD. “Kushtetuta përcakton se balanca e përfaqësimit në KLD në favor të Gjyqësorit me anëtarë të zgjedhur rregullisht dhe që përfaqësojnë vullnetin e Trupës, është parim themelor i ngritjes dhe funksionimit të KLD-së. Ky parim nuk mund të cenohet nga askush. Cenimi i tij është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës. Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë. Ai mbështet trupën e Gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD. Çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon Gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta, është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë”, - ka përfunduar deklaratën e saj Topalli.

Box

Reagon Shoqata e Gjyqtarëve

“Më 5 dhjetor nuk mblidhemi për anëtarët e KLD-së”
Me gjithë rëndësinë për funksionimin e Konferencës dhe projektligjit për të, që pritet t’i kalojë Kuvendit, takimi i ardhshëm i 5 dhjetorit i të gjithë gjyqtarëve në Shqipëri ka ngjallur diskutime dhe interpretime të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye, anëtari i bordit drejtues të Unionit Gjyqësor, gjyqtari Gerti Hoxha, deklaron se mbledhja e dhjetorit nuk do ketë kompetencat e Konferencës Gjyqësore dhe sipas tij nuk do të zgjedhë anëtarët e KLD-së. “Kemi vendosur qe më 5 dhjetor të organizojmë një mbledhje të gjyqtarëve, ku do të diskutohet për pavarësinë e sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës së publikut te Drejtësia dhe do të diskutohet për fatin e Konferencës Gjyqësore. Kështu që kjo mbledhje nuk mund të konsiderohet si Konferencë Kombëtare Gjyqësore”, - shpjegoi gjyqtari Hoxha. Duke iu referuar deklaratës së përbashkët në të cilën doli trupa gjyqësore gjatë takimit të thirrur nga Gjykata e Lartë, Hoxha bën apelim për një emergjencë që duhet zgjidhur sa më parë në Gjyqësor.

Box

Reagimi

Ministri Nishani: “Drafti gati, pritet miratimi në Kuvend”
Projektligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, që ka mbaruar së draftuari, pret të trajtohet në Kuvend. Kështu deklaroi dje ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, në lidhje me një nga çështjet më të diskutueshme që ka përplasur Gjyqësorin me klasën politike. Nishani është i mendimit se funksionimi i Konferencës Gjyqësore Kombëtare nuk mund të mbetet në ngërç, aq më tepër që edhe më parë Konferenca është mbledhur me vetërregullim. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar detyrën e saj në draftimin e projektligjit “Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare”, mbështetur edhe në sugjerimet e bëra nga aktorë të sistemit të Drejtësisë si përfaqësues të Konferencës Gjyqësore, shoqatave të gjyqtarëve, Këshillit të Lartë i Drejtësisë, si dhe misioneve të asistencës ndërkombëtare. "Qëllimi për përgatitjen e këtij projektligji ka qenë që Konferenca Gjyqësore Kombëtare të funksionojë mbi bazën e një ligji, pasi më parë ka funksionuar mbi bazën e vetorganizimit të saj”, - deklaroi ministri. Ai nënvizoi faktin se projektligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, ku janë reflektuar të gjitha rekomandimet e grupeve të interesit, mbetet për t'u trajtuar në Parlament. Por, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, është shprehur skeptik për qëndrimin e opozitës për dhënien e miratimit për projektligjin për "Konferencën Gjyqësore Kombëtare". "Mungesa e opozitës në Parlament është një fakt publik, por nuk është vetëm çështja e këtij projektligji. Opozita mund të hyjë në Parlament e të mos e japë votën si në rastin e ligjit ‘Për Gjykatën Administrative’, i cili nuk ka kaluar në seancë pasi opozita nuk ka dhënë votat e saj”, - u shpreh Nishani. Sipas Nishanit, megjithatë, kjo është një çështje që i takon tërësisht dhe vetëm kryetares së Konferencës Gjyqësore Kombëtare, e cila është edhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, nënvizoi ministri i Drejtësisë.

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›