E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmeni gjendet i varur mes pishave

Një 58-vjeçar, biznesmen i njohur, i martuar dhe me fëmijë, me profesion inxhinier nafte, është gjetur i varur në masivin me pisha në bregdetin e Semanit, rreth 17 kilometra larg qendrës së Fierit. Et‘hem Aliaj, lindur në Ballsh dhe banues në lagjen "8 Shkurti" të Fierit, ka rezultuar pasditen e së shtunës i humbur. Kanë qenë familjarët e tij, djali dhe bashkëshortja, ata që kanë kërkuar ndihmën e policisë pas konstatimit të vonesës së Aliajt. Familjarët dhe policia kanë nisur kërkimet dhe mësohet se pas lokalizimit të telefonit të tij personal, me anën e përgjimit, policia ka mundur të gjejë vendndodhjen e Et‘hem Aliajt, ku dhe është gjetur i varur në degën e një pishe. Policia, që në momentin e parë të kësaj ngjarjeje, ka hedhur dyshimet e saj në dy pista: njëra vrasje dhe tjetra vetëvrasje. Trupi i biznesmenit nuk është larguar nga vendi i ngjarjes për më shumë se 8 orë. Policia ka kryer të gjitha ekspertizat dhe mendon se bëhet fjalë për një vetëvrasje me motiv krizën financiare, që po kalonte biznesi i drejtuar nga Aliaj.

Ngjarja

Familjarët kanë qenë të parët që e kanë parandier kobin që u kishte ndodhur. Duke telefonuar në mënyrë të vazhdueshme në telefonin e Et‘hem Aliajt, bashkëshortja dhe djali kanë vërejtur se ai nuk u përgjigjej. Pas shqetësimit që vinte duke u rritur, familjarët kanë shkuar pranë Komisariatit të Policisë Fier dhe kanë denoncuar humbjen e tij. Uniforma të shumta policore, si dhe të afërt të shumtë të 58-vjeçarit, janë mobilizuar për të kërkuar vendndodhjen e tij. Rreth orës 02.00 pas mesnatës së të shtunës, duke aguar e diela, me anën e përgjimit të telefonit personal të Et‘hem Aliajt, policia ka mundur të lokalizojë vendndodhjen e tij, e cila rezultoi se ishte në masivin me pisha të Semanit. Drejt vendit të lokalizuar të telefonit janë nisur uniforma të shumta policore dhe pas mbërritjes në pyll, kanë parë si fillim automjetin e tipit "Mercedez Benz" me targa FR 9696 C, që ishte i parkuar me drejtim nga pylli dhe pak metra larg makinës, policia ka vërejtur trupin e varur të 58-vjeçarit. Policia menjëherë i është afruar viktimës dhe ka parë që ai ndodhej i varur në degën e një pishe në lartësinë mbi 1 metër nga toka. Pas gjetjes së trupit të Et‘hem Aliajt, ekspertë të krimit të organizuar, krimeve të hapura, uniforma të policisë së rendit e asaj kriminale, si dhe drejtori i qarkut, e drejtues të tjerë të policisë lokale kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Po ashtu janë lajmëruar edhe familjarët e 58-vjeçarit.

Hetimet

Ekspertët e Policisë së Fierit kanë ngritur si fillim rrethin e vogël të hetimit, ndërkohë që ekspertizat e tjera i kanë lënë për paraditen e së dielës, për faktin e vetëm të errësirës së natës. Ndërkohë që paraditen e djeshme, pothuajse e gjithë Policia e Fierit ka rrethuar në një rreze më shumë se 300 metra vendin e ngjarjes për të gjetur brenda saj të gjitha gjurmët e mundshme. Këqyrja e kufomës ka treguar se Et‘hem Aliaj ka gjetur vdekjen nga mbytja me anën e një litari, i cili i kishte penguar frymëmarrjen në fyt. Sipas policisë, litari ishte i trashë dhe me material të fortë najloni. Litari ishte i ri dhe në pjesën e sipërme të tij kishte një çengel, me anën e të cilit ishte lidhur fort pas degës së pemës. Por nga rrethi i madh i hetimeve, policia ka mundur të dallojë gjurmët e tjera të skenës së ngjarjes. Mësohet prej grupit të hetimit, se automjeti i Aliajt është gjetur i hapur. Brenda tij nuk është gjetur asnjë dorëshkrim, ndërsa janë marrë të gjitha gjurmët e lëna nga personat që mund të kenë hipur në të. Policia në rrethin e madh të hetimit ka kërkuar edhe gjurmë të tjera, si të rrotave të automjetit, apo gjurmë njeriu. Ende nuk ka një version zyrtar nëse janë gjetur gjurmë të huaja, por ajo që deklarojnë zyrtarisht drejtuesit e Policisë së Fierit ka të bëjë me faktin se provat e gjetura në vendin e ngjarjes, si dhe rrethanat e ndodhjes së ngjarjes të shpien drejt një vetëvarjeje.

Policia menjëherë i është afruar viktimës dhe ka parë që ai ndodhej i varur në degën e një pishe, në lartësinë mbi 1 metër nga toka

Viktima

Inxhinieri i naftës u kërcënua në vitin 1997

I diplomuar para vitit 1990, në degën e Inxhinierisë së Naftës, Et‘hem Aliaj njihet në Qarkun e Fierit dhe më gjerë si një intelektual i formuar. Ai ka qenë në mjaft role drejtuese gjatë karrierës së tij, që nga kryeinxhinier dhe inxhinier, deri dhe drejtori i Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës Patos. Pas ‘90-ës ka vijuar profesionin e tij për një periudhë të shkurtër, pasi ka qenë ndër të parët biznesmenë të qytetit. Gjatë vitit 1997 Aliaj ka kaluar një krizë të ngjashme me këtë aktualen, ndërkohë që dhe është kërcënuar me pengmarrje. Biznesi i tij në Fier është përqendruar në disa fusha, por më i suksesshëm ka qenë ai i veglave elektrike, të cilat i siguronte nga Kina. Janë mjaft biznese, si prodhimi i felizolit, mjeteve të tonazhit të rëndë për ndërtim, deri dhe materiale të thjeshta elektrike, ku është përqendruar në vitet e gjata të aktivitetit të tij privat Et‘hem Aliaj. Babai i dy djemve, Et‘hem Aliaj, është përcjellë për në banesën e fundit pasditen e djeshme, duke marrë me vete misterin e fundit tragjik të tij, por duke mos inauguruar dot iniciativën më të fundit, atë të përfundimit të HEC-it në Librazhd. Familjarët kanë pohuar për gazetën "Shqip" se "në streset e kohës së sotme, me çdo vendim e ngjarje mund të përballesh…"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›