E Diel, 1 Nëntor 2026

Nartë, digjet kisha e vitit 1808

Në kohën që kisha ka qenë mbyllur, rreth orës 11.00 të mesditës, nga çatia e saj në mënyrë të papritur kanë dalë shtëllunga tymi. Banorët e Nartës pasi e kanë parë këtë, menjëherë kanë hapur derën e objektit të kultit me forcë dhe më pas kanë parë se kisha në brendësi të saj ka qenë e përfshirë në flakë. Menjëherë banorët kanë njoftuar repartin e zjarrfikëses dhe kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore. Pas disa minutash, reparti i fikjes së zjarrit ka mbërritur, ku ka filluar punën për fikjen e tij. Brenda një ore është bërë e mundur fikja e zjarrit. Si pasojë e flakëve, është djegur nga brenda e gjithë kisha, si dhe 90% e ikonave. Sipas priftërinjve, dëmi është shumë i madh, i pallogaritshëm për momentin, vetëm një shandan kushton 800 euro. E gjithë kisha ka dalë jashtë përdorimit, muret, tavani, ikonat dhe gjithçka e vlefshme në këtë kishë.

Po sipas banorëve dhe priftërinjve, shkaku i zjarrit mendohet për momentin se ka qenë lënia e qirinjve ndezur në kosha ku hidhen qirinjtë. Ndonjë prej qirinjve ka mundësi të jetë lënë ndezur, ose është ndezur nga nxehtësia që kanë qirinjtë në kosh pasi fiken, e më pas flakët kanë përfshirë gjithë kishën nga brenda, duke djegur gjithçka të vlefshme, që llogaritet në miliona dollarë. Kisha për disa ditë ka qëndruar hapur, me rastin e festës së Krishtlindjeve. Ajo ka qenë në dispozicion të besimtarëve gjithë natën deri në orën 10.00 të paradites së djeshme. Pasi janë rralluar vizitorët dhe besimtarët, kisha është mbyllur, por pikërisht 30 minuta nga mbyllja e saj, objekti është përfshirë në flakë, fillimisht në vendin ku ka qenë koshi me mbeturina dhe qirinj të fikur, e më pas zjarri ka përfshirë gjithë kishën nga brenda. Është dashur ndërhyrja e repartit të zjarrfikësve për të shuar flakët dhe parandalimin e djegies së kishës më tej. Banorët dhe priftërinjtë që shërbejnë në këtë kishë, nuk mendojnë se zjarri është vendosur me qëllim, por aksidentalisht, nga pakujdesia e njërit prej punonjësve të shërbimit. Kisha është ndërtuar në vitin 1808 dhe është rikonstruktuar disa herë. Në të ka ikona të vlefshme, si edhe sende të çmuara. Sipas priftërinjve të kishës, gjithçka duhet filluar nga e para, por për momentin, meqë është festë, do të pastrohet dhe do të kryhen ritet fetare sipas traditës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›