E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri, dhurata për fëmijët jetimë

Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja Liri Berisha ishin dje midis fëmijëve të qendrës së fëmijëve "Shtëpia e shpresës" dhe të shtëpisë bamirëse "Nënë Tereza" në qytetin e Elbasanit, për të festuar së bashku me ta Vitin e Ri. "Festat pa ju mbeten të heshtura", iu drejtua fëmijëve Kryeministri Berisha.

Një vajzë 7-vjeçare, e cila qëndron në qendrën "Shtëpia e Shpresës", iu drejtua Kryeministrit me fjalët: "Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë dy festa, të cilat ne fëmijët i presim me padurim, sepse kjo është një kohë që ne festojmë me gëzim e lumturi dhe kur presim edhe dhurata".

Më pas, Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij shpërndanë dhurata për fëmijët. Në shtëpinë bamirëse "Nënë Tereza", Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për kujdesin e veçantë që motrat e Nënë Terezës tregojnë për fëmijët e braktisur. "Ju shprehim nderimin më të madh për punën e jashtëzakonshme që ju bëni për kujdesin ndaj këtyre fëmijëve, për rritjen e atyre, të cilët janë në nevojë të madhe, por që me kujdesin dhe dashurinë tuaj ju u zëvendësoni familjen, shoqërinë dhe kryeni një mision shumë fisnik. Keni mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, mirënjohjen e Zotit, që kujdeseni me kaq dashuri për fëmijët", u shpreh Berisha. Qendra "Shtëpia e Shpresës" është hapur në qytetin e Elbasanit në vitin 1993. Tek "Shtëpia e shpresës" janë të akomoduar 14 fëmijë jetimë, ndërsa trajtohen me shërbim ditor 25 fëmijë. Qendra i ka ofruar mbështetje në edukim dhjetë fëmijëve romë, të cilët frekuentojnë çdo ditë qendrën ditore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›