E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për prokurorinë, drejt Gjykatës Kushtetuese

LSI-ja do ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Prokurorinë, nëse ai votohet nga Kuvendi pa u marrë në konsideratë propozimet e Shoqatës së Prokurorëve. Kjo deklaratë është bërë dje për "Shqip" nga deputeti i LSI-së, anëtar i Komisionit të Ligjeve, Spartak Braho. Deputeti Braho ka deklaruar edhe njëherë votën kundër të LSI-së ndaj këtij ligji, duke sqaruar edhe pse LSI-ja është kundër këtij drafti. Sipas Brahos, projektligji vjen në shkelje të interesave të institucionit të prokurorisë dhe është hartuar në bazë të pazareve të arritura mes demokratëve dhe socialistëve. Për deputetët e LSI-së, projektligji i paraqitur nga qeveria është antikushtetuese dhe cenon rëndë pavarësinë e organit të drejtësisë.

Votimi

Në seancën e sotme parlamentare, e cila është e fundit për këtë sesion, mazhoranca dhe opozita duke respektuar konsensusin e arritur në Komisionin e Ligjeve do të votojnë përveç Kodin Zgjedhor edhe ligjin për prokurorinë. Në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve të zhvilluar ditën e premte, deputetët e PS-së shprehen votën e tyre pro draftit të qeverisë, duke kërkuar që ai të kalojë në seancën më të parë për votim. Kjo mbështetjen e selisë rozë u vlerësua si një hap pozitiv nga demokratët, të cilët përshëndetën qëndrimin e PS-së në të mirë të realizmit të reformës në drejtësi, e cila është edhe një nga kushtet e vëna nga ndërkombëtarët. Por konsensusi i arritur mes demokratëve dhe socialistëve për të kaluar në Kuvend në seancën e sotme ligjin për prokurorinë është kundërshtuar nga LSI-ja, e cila ka theksuar se ky draft i paraqitur nga qeveria është në kundërshtim me Kushtetutën ndaj duhet të rishikohet duke marrë parasysh edhe propozimet e Shoqatës së Prokurorëve.

Projektligji

Organi i akuzës nëpërmjet Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve draftin e qeverisë për prokurorinë. Sipas kryeprokurores, tre nenet më të kontestuara janë neni 17,28 dhe 36. Në nenin 17 parashikohet shkarkimi i prokurorit, i cili e ankimon kërkesën e tij vetëm në Gjykatën e Apelit. Nëse parashikohet shkarkim i prokurorit, pavarësisht nëse ka argumente ligjore apo jo, prokurori nuk mund të kthehet më në detyrë. Neni 28 i ligjit, raporti për Prokurorinë i bërë nga Ministria e Drejtësisë, e paraqet këtë raport jo vetëm para Presidentit apo Kryeprokurorit, por edhe Kuvendit të Shqipërisë. Zbatimi i këtij projektligji vendos organin e akuzës në kontroll të qeverisë. Duke iu referuar nenit 28, sipas prokurorëve, raporti në Kuvend i lë të hapura të gjitha mundësitë që me ligjin e ri të ngrihet Komisioni Kuvendor, i cili sipas kontrollit të ministrit të Drejtësisë, të mund të shkarkojë edhe Prokurorin e përgjithshëm. Po kështu, edhe neni 36 ka hasur në kundërshtinë e prokurorëve. Sipas përfaqësuesve të organit qendror të akuzës, një nen i tillë është vetëm derivat i dy ndryshimeve të para, të cilat jo vetëm lënë të pambrojtur prokurorët, por mbi të gjitha dobësojnë ndjeshëm pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme.

Seanca

LSI do t‘i paraqesë Kuvendit amendamentet e saj

Kodi Zgjedhor, sot kalon dekreti i Topit

Sot në Kuvend, mazhoranca dhe opozita do të miratojnë Kodin e ri Zgjedhor. Kodi rikthehet për herë të dytë në sallën e Kuvendit për votim pas kthimit të dekretit nga Presidenti i Republikës, pasi nenin 9 të këtij Kodi e gjeti në kundërshtim me Kushtetutën. Nëpërmjet sqarimit të tij drejtuar Kuvendit, kreu i shtetit tregonte arsyet e kthimit të këtij ligji për rishikim dhe u kërkonte deputetëve të uleshin për ta diskutuar me qëllim gjetjen e një rrugëzgjidhjeje tjetër. Propozim i cili parimisht u kundërshtua nga deputetët e mazhorancës dhe të opozitës, por më pas në Komisionin e Reformës u bënë ndryshimet e duhura nëpërmjet një dispozite kalimtare ku Kuvendi i përcakton kreut të shtetit që brenda një jave nga hyrja në fuqi e këtij ligji kreu i shtetit ka të drejtë të caktojë datën e zgjedhjeve, datë e cila duhet të jetë 21 ose 28 qershori i 2009. Deri këtu duket se për kodin ka vajtur gjithçka mirë, nëse nuk përmendet reagimi i ashpër i LSI-së dhe PDK-së. Këto forca politike e kanë kundërshtuar ashpër Kodin e ri Zgjedhor, duke u shprehur kundër tij për nene të caktuara, sidomos ato që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve. Deputetët e LSI-së dhe të PDK-së u futën edhe në greve urie, por zëri i tyre ra në vesh të shurdhër, pasi dy forcat e mëdha, PD-ja dhe PS-ja në bashkëpunim me njëra-tjetrën e miratuan me shumicë votash kodin e ri gjatë votimit të parë. Tashmë pas kthimit për rivotim në Kuvend, LSI-ja paraqiti sërish amendamentet e saj për ndryshimin e neneve që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve. Por komisioni i reformës, i cili ishte mandatuar vetëm për të rishikuar dekretin e Presidentit nuk i mori parasysh këto propozime. Sipas deputetëve të LSI-së është lënë nga komisioni që amendamentet e tyre të paraqiten në seancën parlamentare për shqyrtim. Seanca e sotme do të vendosë nëse amendamentet e LSI-së do të merren apo jo parasysh. Deri më tani, PS-ja është shprehur mjaft e qartë në qëndrimin e saj për të mos i marrë në konsideratë, por e dyzuar në qëndrim duket se është PD-ja, por nëse demokratët do të prishin konsensusin me PS-në për të votuar amendamentet e LSI-së, kjo mbetet për t‘u parë sot.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›