E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI akuzon Berishën: Dogji fondin për pronarët

Sulmet ndaj qeverisë kanë qenë sërish dje në fokusin e LSI-së. Nëpërmjet zëvendëssekretares së përgjithshme, Brizida Gjikondi, LSI-ja ka shprehur shqetësimin e saj për papërgjegjshmërinë e radhës të treguar nga qeveria "Berisha". Sipas Gjikondit, kjo papërgjegjshmëri ka të bëjë me kolapsin ku ka hyrë sistemi i pronës në Shqipëri. Gjatë deklaratës së saj për shtyp zëvendëssekretarja e LSI-së ka renditur disa nga skandalet e radhës së kësaj qeverie në lidhje me çështjen e pronave. Sipas LSI-së, tani në fundvitin 2008 për arsye të zvarritjeve mashtruese është djegur fondi prej 500 milionë lekësh, fond i cili ishte alokuar nga qeveria dhe do të shërbente për kompensimin e ish-pronarëve. Por, vazhdon më tej me deklaratën e saj drejtuesja e LSI-së, pavarësisht rregullimeve me ligj dhe korrektësisë së ish-pronarëve në plotësimin e dokumentacionit sipas afateve të përcaktuara në ligj ata sërish u mashtruan nga demagogjitë e kësaj qeverie. Një skandal tjetër është ai që ka të bëjë me injorimin e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili ndryshon tërësisht procedurat e ndjekura deri më tani në procesin e legalizimit. Për LSI-në, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese me dashje është injoruar nga qeveria shqiptare për më tepër që nga kjo qeveri mbledhja e taksave të legalizimit sipas ligjit të vjetër do e shndërrojë këtë të fundit në një qeveri piramidale përpara shqiptarëve. Gjikondi ka theksuar në deklaratën e saj para mediave se "nga ana e Kryeministrit Berisha iu caktua zv/kryeministrit Pollo si detyrë që brenda fundvitit 2008 të realizonte një inventar tërësor të ndarjes së pronave sipas Ligjit 7501, si dhe të gjitha pronave shtetërore, sot jemi në 28 dhjetor 2008 dhe ende nuk kemi asnjë informacion për plotësimin ose jo të këtyre detyrave dhe impenjime ligjore". LSI shpreh shqetësimin për të gjitha këto, si dhe shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me sistemin e pronës, pasi janë jetikë jo vetëm për stabilitetin ekonomik dhe investues në Shqipëri, por kanë të bëjnë në mënyrë direkt me të drejtat e njeriut dhe integrimin evropian të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›