E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama bëri pazare me Berishën

Kryetari i LSI, Ilir Meta, ka zhvilluar dje një takim në Elbasan dhe Cërrik, ku dhe inauguroi zyrat e reja të LSI-së në këto qytete.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kreu i LSI ka shprehur besimin se alternativa e tyre do të fitojë jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë, pasi kauzat e LSI dhe politika e drejtë që ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë kanë gjetur mbështetje gjithnjë dhe më të madhe te qytetarët. Meta tha se LSI ka lindur dhe vazhdon të jetë ajo forcë që sfidon të keqen, mashtrimin, korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin. Meta u shpreh se LSI do të sfidojë të dyja forcat e vjetra, korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin që shpërtheu në Gërdec të Berishës dhe njëkohësisht mungesën e seriozitetit dhe talljen me drejtësinë dhe shtetin ligjor të kreut aktual të PS, i cili për interesa të ulëta dhe pazare, këmbeu Kodin Zgjedhor me projektligjin e Prokurorisë, duke e lënë në duart e Berishës së korruptuar drejtësinë. Edi Rama është betuar dhe përbetuar se nuk do e votonte së bashku me Berishën reformën në drejtësi. Ligjin e qeverisë për prokurorinë aq shumë të anatemuar nga kryetari i PS, Rama, vetëm pak muaj më parë, tani deputetët e PS i japin votën, duke bekuar njëkohësisht edhe kontrollin e drejtësisë nga Berisha. Më tej, kreu i LSI theksoi se qytetarët shqiptarë duhet të votojnë LSI-në pas gjashtë muajsh, pasi vetëm LSI dhe koalicioni i saj, kanë gjithnjë në plan të parë interesat e qytetarëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›