E Hënë, 2 Nëntor 2026

Biznesmeni i kërcënuar nga shteti

29/05/2005  Ka disa ditë që në faqet e shtypit të përditshëm është publikuar një nga skandalet më të turpshme të ministrit të Jashtëm, Kastriot Islami. Sipas të përditshmeve shqiptare, rezulton se në mes të Tiranës, prej disa muajve, kryente veprimtarinë e vet kriminale një bandë, e cila u vinte gjoba tregtarëve dhe biznesmenëve në zonën e bllokut “Vasil Shanto”. Sipas burimeve policore, kjo bandë, përveç gjobave, kërcënonte e terrorizonte tregtarët e biznesmenët, dhunonte lokalet e tyre, deri edhe në përdorimin e forcës fizike për të vjelë “taksën” e kërkuar prej tyre. Sipas të dhënave, kjo bandë vepronte me emrin e ministrit të Jashtëm, Kastriot Islami. Jo rrallëherë, si ç’është pasqyruar edhe në faqet e shtypit, kjo bandë kërcënonte e vinte gjoba edhe në emër të tij. Pjesëtarët e bandës ngrehoseshin duke përmendur emrin e Islamit, si një mburojë për të arritur qëllimin e tyre.

Aktualisht, pjesëtarët e kësaj bande janë të ndaluar nga policia, e cila së bashku me organin e akuzës po vazhdon procesin e hetimeve paraprake.

Natyrisht, duke mos i marrë të gjitha këto si të vërteta, deri sa çështja të marrë formën e prerë me një vendim gjykate, opinioni publik është i shqetësuar për këtë fenomen, pasi, sipas hetimeve të para, rezulton se dy nga pjesëtarët e bandës janë të punësuar si shoferë në dy dikastere, në atë të Ministrisë së Jashtme dhe në Ministrinë e Financave, njëra prej të cilave, aktualisht, drejtohet nga Kastriot Islami dhe tjetra gjithashtu ka patur në krye të digasterit të njëjtin ministër, pra Kastriot Islamin. Do të mjaftonte ky fakt, që Islami të jepte dorëheqjen, deri sa ai i ka patur dhe i ka të punësuar këta dy pjesëtarë të kësaj bande. Akoma më shumë për opinionin publik, ky problem bëhet më i ndjeshëm, kur burime të Komisariatit numër 2 në Tiranë, konfirmojnë se të dy këta punonjës kanë qenë të pajisur edhe me pasaporta shërbimi për jashtë shtetit.

Me gjithë këto fakte kompromentuese, çuditërisht ministri Islami, jo vetëm që nuk ka dhënë dorëheqjen, që do të ishte veprimi më i moralshëm dhe më i natyrshëm i një politikani sadopak i formuar, por ai nuk ka marrë as mundimin më të vogël për t’u prononcuar për këto akuza publike. Ky qëndrim i tij dëshmon se ai në heshtje e pranon bashkëpunimin me këtë bandë. I gjetur në befasi para opinionit publik, Islami vetëm hesht, duke ndjekur kështu moton makiaveliste, se heshtja u vë kapakun të gjithave. Sikur të mos kishte ndodhur asnjë skandal publik, Islami si pa të keq, në emër të Partisë Socialiste, vazhdon turin për të marrë votat në zonën e Mallakastrës me shprehjen e tij fodulle sa edhe ironike, se “mua do të më votojnë edhe po të var pallton në degën e rrapit”. Natyrisht që ky është një qëndrim tjetër i pamoralshëm i ministrit Islami. Në këtë rast, opinioni publik, e në veçanti elektorati i Mallakastrës, i shqetësuar ngre problemin se, ndërsa Islami ka mundur të ngrejë një bandë në mes të Tiranës, nuk e ka të zorshme të ngrejë një bandë edhe më të fuqishme në Mallakastër, për të grabitur votat e elektoratit të kësaj zone. Një bandë e tillë do të vepronte lehtësisht në terrenin e thyer të Mallakastrës, pasi do të ketë edhe ndihmën e pakursyer të forcave të rendit.

Ky do të ishte një argument tjetër që ministri Islami të jepte dorëheqjen, duke demonstruar kështu vullnetin e mirë të kandidatit socialist për t’u shkëputur nga elementët e kriminalizuar. Në të kundërt, opinioni publik, me të drejtë do ta akuzojë atë për bashkëpunim me bandat dhe banditët që kanë terrorizuar me muaj të tërë biznesmenët dhe tregtarët në zonën e Tiranës së Re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›