Kulla e bardhë e mirësisë

29/05/2005 Në Veri të Shqipërisë, vetëm disa kilometra larg Shkodrës, jeton një komunitet i lashtë sa vetë toka. Vendi quhet Vau i Dejës prej qindra shekujsh. Ai është i njohur për katër kishat e stërhershme të paskrishtit, për katër malet e lartë, për katër rrugët dhe katër veshjet e banorëve vendës. Ndërsa fare pranë Vaut të Dejës, në katundin Laç, prej gati gjysmë shekulli gjallon një qytezë e vogël, qyteza e punëtorëve të dikurshëm të hidrocentralit. Në periferi të qytezës, ngrihet një kullë e vjetër mbi 100-vjeçare.
E thërrasin kulla e Kapidanit të Mirditës. Vetëm pak kohë më parë, ajo është kthyer në një folezë të dashur për 14 malësorë. Të gjithë njerëz në nevojë, të cilët kanë ardhur këtu nga trevat përreth. Nga Malësia e Madhe dhe nga pyjet e Pukës, nga maja e Vigut dhe nga Kashnjeti i Lezhës. Nga Shllaku, Boga dhe Iballa, nga Gjegjani dhe Berisha e Epërme. Arkitekti i kësaj foleze, i kësaj strehe dhe çerdheje të ngrohtë familjare, është Nikollë Zef Lleshi. Një prej burrave më të dëgjuar në zonë, për pajtimin e gjaqeve, sidomos ndër dhjetëra familje malësorësh në Veri të Shqipërisë.
Histori portretesh të trishta
Në kullën e bardhë, prej disa muajsh, qëndrojnë pranë njëri-tjetrit Prena 94-vjeçare me të shoqin, Nduen e paralizuar. Marashi 80 vjeç dhe Fetahu. Familja Gjini: Gjoni i verbër, Dila dhe tre vajzat e tyre. Jetojnë si miq Gjeto, Doda, Nikolla, Mimoza dhe një i vobektë, që as flet dhe as dëgjon. Kohë më parë, ata ishin njerëz pa asnjë përkrahje. Jetonin ku të mundnin. I kishte mbytur harrimi dhe braktisja, varfëria dhe brengat e pafundme. Ndërsa pihet kafeja e mëngjesit, aty, nën hijen e një rrapi gjigand, unë pyes arkitektin e kësaj familjeje të madhe, Nikollë Zef Lleshin:
“A mund ta kujtosh, Nikollë, ç’ishte ai ngacmim zemre, që të solli deri në idenë e krijimit të kësaj strehëze, për këta njerëz në nevojë?”.
“…Ka qenë një ortek brenda vetes, që rrihte qysh prej dy vjetësh muret dhe portat e ndërgjegjes sime, teksa shihja dhjetëra njerëz të vetmuar, të braktisur, pa përkrahje, pa strehë, të paushqyer, të pakujdesur kurrë për ta fizikisht dhe mendërisht. Ata endeshin rrugëve të fshatrave, flinin nëpër kabina furgonësh, jetonin dy nga dy ose veçmas nëpër bunkerë të pisët. Më të shumtën e kohës të paushqyer, të palarë, larg zjarrit në dimër dhe të zhytur në skamje prej disa vjetësh. Atëherë iu drejtova të zotit të kësaj kulle këtu, në Laç – Vau i Dejës. I kërkova ndihmë të më huazonte për ca kohë dhomat bosh, ku prej vitesh nuk banonte njeri. Pastaj, së bashku me mikun tim, Zef Palokën, fillimisht afruam në këtë strehëz të thjeshtë dy pleq të harruar dhe të braktisur prej fëmijëve të tyre, dy 94-vjeçarët Ndue Kolë Marku dhe Prena Ndue Marku, të cilët jetonin në një furgon gërmadhë dhe prisnin vdekjen me sy hapur. Këta ishin dy banorët e parë. Pastaj, më rekomandon Gjoni, shoferi i shtëpisë sonë të përkujdesjes, një familje nga Vigu. U nisëm sërish me Zefin. Binte shi dhe në malet e Vigut stuhia ulërinte si kuçedër. Iu afruam asaj që quhej strehë për gjashtë njerëz të mbetur pothuajse jashtë, në qiell të hapur. Qëndronin të gjithë strukur pas një gjysmëfuçie, gjoja si sobë, të bërë qull nga shiu.
I zoti i shtëpisë, Gjon Gjini, ishte i verbër. E shoqja, Dila, e depresuar. Tri vajzat e shtëpisë i kishte mbështjellë dhe i mbante në gjoks motra e Gjonit, edhe ajo quhet Dila. Dhe kështu i sollëm këtu. Më vonë erdhën dhe trokitën në portën e kullës dy pleq nga Puka: Dodë Leskaj dhe Nikollë Prendi. Pastaj një tjetër. Edhe dy, edhe dy… Për të 14 banorët e shtëpisë sonë kujdeset një personel prej katër vetësh. Siç e shihni, më të shumtët janë pleq. Disa në asistencë. Dhe kuptohet, këtu nuk paguajnë asnjë lek. Atë pension të vogël, ose asistencën, nuk ua prekim. Ndërsa shërbimi mjekësor, gjithashtu falas, i jepet nga mjeku i qytezës, doktor Martini.
Dy fate tragjike njerëzish
Mimoza Ademi, rreth 30 vjeçe, është një prej banoreve më të urta në këtë shtëpi të madhe. Qëndron e vetmuar, duke zënë një cep të oborrit dhe duke folur me veten me orë të tëra. Historia e saj është rrënqethëse. Sipas Nu Markut, korrespondent vullnetar në zonë dhe mik i Nikollës, “…ajo ka vuajtur trafikimin në Itali. Para se ta sillte Nikolla në kullë, ajo qëndronte qysh prej dy muajsh para degës së brendshme në Lezhë. I trembej tutorëve të dikurshëm. Ishte tmerrësisht e tronditur, për të mos thënë në gjendje të rëndë depresive. Fliste më shumë italisht se shqip. Qante pafund kur e morëm. I shkurtuam flokët e ngjitur si zift dhe e veshëm pas shumë vështirësish me rroba të tjera të pastra. Shiheni tani. Është rikthyer në jetë dhe është dikushi sot, mes 14 banorëve të tjerë...”.
Një goditje trah-trah sëpate mbush oborrin para kullës së bardhë. Ai që pret dru në kopshtin e shtëpisë, është një mesoburrë me vraga në fytyrë. Unë i afrohem. Ai nuk e ndërpret çarjen e druve. Duket i shqetësuar, sepse herë pas here hedh vështrimin me dyshim nga unë. Thonë se ka frikë nga çdo i huaj që vjen në kullë. Diçka i kujtohet…
“Ky është, …nuk di si të them, nuk di si ta quaj… As nuk flet, as nuk dëgjon. Edhe emrin nuk ia dimë. As nga vjen, as si është gjendur këtu, në Laç – Vau i Dejës. Rreth katër muaj më parë, në Shkodër u arratisën nga paraburgimi tre njerëz. Dy u kapën shpejt. I treti humbi për disa ditë. Këtu lart, mbi kodër, ja tek është gërmadha e ish-fabrikës së pasurimit të bakrit. Ne nuk e dinim se aty strehohej prej kohësh një endacak i harruar prej të gjithëve. Mirëpo dikush kishte lajmëruar policinë për të, bash në kohën e kërkimeve të të arratisurit. Atëherë mbërritën forcat e ndërhyrjes së shpejtë, me përforcime të mëdha. Kujtuan se gjetën të kërkuarin e tyre. Për fat të keq, endacaku nuk fliste dhe nuk mundi t’u shpjegojë cili ishte. Atëherë filloi dajaku. E dhunuan rëndshëm. E gjakosën, e torturuan, ia mbushën trupin me hematoma, të cilat i kam fotografuar, menjëherë sapo mbërrita atje. Pastaj, ne e sollëm këtu, në shtëpinë tonë të madhe. E risollëm në jetë, thuaj. Qysh nga ajo ditë, ky njeri qëndron me ne. Është i urtë dhe mbi të gjitha kujdeset vetë për veten. Unë protestoj fort ndaj dhunës së ushtruar ndaj këtij njeriu të pafajshëm. Po ku të denoncoj? Nejse… I kam shkruar dhe u kam dërguar fotografi UNMIK-ut në Kosovë dhe KFOR-it, sepse dikush mendon se ky njeri i vobektë, mund të ketë mbetur këtu nga karvanet e refugjatëve kosovarë. Edhe RTV-së së Kosovës i kam dërguar fotografinë, por deri më tash nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Por, edhe sikur të mos i gjenden të afërmit, ai do të qëndrojë këtu me ne, deri në fund të jetës së tij”.
Ky që rrëfen këtë tregim të dhimbshëm, për njeriun që nuk flet dhe nuk dëgjon, është i zoti i shtëpisë, Nikolla.
Kulla e bardhë dhe miqtë e saj të mirë
Foleza e njerëzve në nevojë ka miq të shumtë kudo. Brenda dhe jashtë vendit. Ndër ta, unë po shënoj tregtarin vendës nga Laç – Vau i Dejës, Zef Bacajn. Ai ka ngritur prej vitesh në qytezën e vogël pranë hidrocentralit, një tregtore moderne, për nevojat e komunitetit të kësaj zone. Me të mësuar se Nikolla kishte marrë me qira kullën e bardhë të Kapidanit të Mirditës dhe kishte strehuar aty, për bamirësi, 14 frymë të rrezikuara, u gjend sa hap e mbyll sytë pranë të zotit të shtëpisë. “Unë mund të të ndihmoj, i tha. Unë mund të të jap ushqime, veshmbathje, fruta dhe çfarë mund të kem në tregtoren time. Do t’i keni falas të gjitha, prej meje. Unë mendoj se, ne të gjithë kemi detyrime ndaj njerëzve në nevojë. Ndaj atyre që i kanë braktisur fëmijët. Ndaj të pastrehëve dhe ndaj njerëzve pa mbrojtje shtetërore…”. Qysh nga ajo kohë, të paktën një herë në muaj, furgoni i bardhë i Zef Palokës, ndihmësit të Nikollës, vjen të tërheqë ndihmat e biznesmen Zef Bacajt.
Por ka edhe miq të tjerë, që ndihmojnë rregullisht shtëpinë e përkujdesjes së njerëzve në nevojë. Nga Kumanova e Maqedonisë, gjithashtu një herë në muaj, shoqata e tregtarëve atje dhe shoqata kulturore “Nënë Tereza”, përmes iniciativës së intelektualit Milaim Fejziu dhe qytetarit të nderuar Idriz Sinani, sjellin ndihma ushqimore dhe financiare, për 14 banorët e familjes së madhe këtu në Laç – Vau i Dejës. Veç kësaj, zoti Sinani thotë se, së shpejti, përmes binjakëzimit me qendrën sociale IGFM në Gjermani, kjo shtëpizë do të marrë përmasa të tjera. Ajo do të kthehet në një spital mbarëkombëtar për njerëzit në nevojë. Spitali mund të ndërtohet në Shkodër dhe atje do të strehohen banorë nga Elbasani, Korça, Shkupi dhe Prishtina, Ulqini dhe Tetova, Çamëria dhe Tirana. Truallin për ndërtimin e këtij spitali, ka premtuar ta dhurojë biznesmeni pukjan, Ymer Hasanaj.
Pasdite
Vetëm dy-tri kilometra larg kullës, mes katër maleve, gjendet liqeni i hidrocentralit të dritës. Një vend i mahnitshëm piktoresk, ku banorët e familjes së madhe vijnë të shplodhen, të paktën një herë në javë. Kjo ndodhi edhe sot, kur unë jam këtu, mes tyre. Në një piknik që ideuesi i saj, Nikollë Zef Lleshi, e ka organizuar për t’i dhënë një kënaqësi më shumë miqve të tij të zemrës. Mbi tryezat e drunjta disa kokrra mollë, kafeja e pasdites, një gotë raki dhe loja e fëmijëve me valëzat e liqenit, i japin ditës që po ikën fytyrën e bukur të dashurisë. Nikolla është aty, mes njerëzve, që e duan si veten. Qytetar nderi i katundit Rrapëz në rrethin e Pukës, njeriu që priti 232 familje kosovare në shtëpitë e pukjanëve zemërbardhë në vitin e luftës. Baba i tetë fëmijëve të mirë si drita në shtëpinë e tij. Misionar i paqes në shoqatën “Besa” dhe, prej shumë vjetësh, përkrahës i qindra njerëzve në nevojë në zonën e Pukës dhe, së fundmi këtu, në katundet e Shkodrës. Buzë liqenit, Nikolla vështron me sytë e mendjes ditën e nesërme. Ditën kur atij do t’i duhet të ngrejë të tjera foleza mirësie, përmes sloganit: “Punë, paqe dhe dashuri njerëzore”.