Shtypja e 51-vjeçarit, ekspertiza: Është aksident
Bien dyshimet për një aksident të qëllimshëm ndaj Pëllumb Çekës, pas daljes së ekspertizës së vendit të ngjarjes. Ende nën hetim konfliktet mes viktimës dhe kushëririt të tij
Tiranë Ngjarja e ndodhur të enjten e shkuar, ku si pasojë e përplasjes nga automjeti humbi jetën Pëllumb Çeka është klasifikuar si aksident nga policia dhe prokuroria. Konkluzioni përfundimtar rreth aksidentit të dyshimtë është marrë pas përfundimit të akt-ekspertimit, i cili ka qenë në përputhje me versionin e dhënë nga i arrestuari dhe dëshmitarët. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se ngjarja ku humbi jetën Pëllumb Çeka, si pasojë e përplasjes nga automjeti që drejtohej prej të afërmit të tij Gazmend Çeka, ka qenë aksident i ardhur si pasojë e shmangies së përplasjes me një automjet tjetër. Mbrëmjen e së enjtes të javës së shkuar, Gazmend Çeka duke qarkulluar me automjetin e tij Benz 220 C-klas, me targa TR 3756 F në aksin rrugor Vorë-Marikaj, ka aksidentuar duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Pëllumb Çekës, banues në Marqinet. Për këtë ngjarje, policia prangosi autorin, i cili fillimisht u dyshua për një aksident të qëllimshëm, pas një konflikti mes viktimës dhe autorit. Por menjëherë pas ndalimit, drejtuesi i mjetit tha se ngjarja ka ardhur si pasojë e shmangies së përplasjes së një automjeti tjetër. Viktima ka qenë duke ecur në anë të rrugës, kur është përplasur nga automjeti tip “Benz”. Ekspertët që përcaktuan edhe dinamikën e ngjarjes arritën në përfundimin se ngjarja ka qenë aksidentale, version ky që përputhet edhe me dëshmitë e personave që kanë parë momentin e përplasjes. Policia ende po heton konfliktet e mundshme mes autorit dhe viktimës, pasi nga dëshmitë është siguruar informacion se mes tyre ka pasur mosmarrëveshje për çështje pronësie. Madje, ditën e arrestimit, fqinjë të viktimës thanë se në ceremoninë e varrimit të Pëllumb Çekës nuk morën pjesë anëtarët e familjes së autorit të dyshuar. Pëllumb Çeka punonte roje dhe ishte duke shkuar në punë kur u godit me makinë. Brenda pak orësh policia vuri në pranga dhe drejtuesin e mjetit, i afërm i viktimës, i cili tha se ngjarja ishte aksidentale. L.Bakillari