E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni i rremë, kurthe viktimave me emra zyrtarësh

 

Fatos Mahmutaj

"Më prit pak në kafe sa të takoj një person të madh këtu". Këtë shprehje "tip" Indrit Aliu, 25-vjeçari vlonjat, i denoncuar gjashtë herë për mashtrim me 3 milionë euro, e përdorte sa herë që fuste në kurth viktimën e tij të radhës. Biznesmenë të shumtë, të joshur nga premtimet e këndshme të të riut vlonjat, i cili mbi të gjitha shquhej për oratori, peshkoheshin menjëherë sapo shihnin mënyrën sesi atij i hapeshin dyert nëpër të gjitha institucionet shtetërore. Ndërsa pritnin në kafe rreth 15 - 20 minuta disa nga viktimat e tij, të cilët sigurisht ishin përpunuar më parë nga Aliu për famën e tij, sidomos pas "bamirësive" në emisionin "Më shumë dashuri" në TV Klan dhe "dhurimit" të rreth 15 kompjuterëve shoqatës Unioni i Gazetarëve, kanë pohuar në prokurori se i akuzuari për mashtrim kishte njohje në shumë institucione, kryesisht në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Duke pretenduar se ai takonte persona shumë të rëndësishëm në këtë institucion dhe duke lënë të kuptohej se ishte i privilegjuar aq sa i mbaronte punët brenda pak minutash, ua mbushte mendjen viktimave të paguanin në "cash" gjithçka që i kërkohej prej tij në këmbim të tenderëve shtetërorë. Një pjesë të mirë të mekanizmit të mashtrimeve të 25-vjeçarit Aliu, prokuroria e ka zbardhur pas deklarimeve që kanë dhënë viktimat e tij ndërsa pjesën tjetër në bazë të sendeve dhe dokumenteve të sekuestruara në zyrat e fondacionit "Dejs & Partners Consulting". Pasi ua mbushte mendjen viktimave për t'u përfshirë si nënkontraktorë nëpër tenderë të ndryshëm, Aliu u kërkonte dokumentacionin e firmave ndërsa ditën tjetër u kërkonte shumën prej tre për qind të vlerës totale dhe pastaj lidhte kontratën për vazhdimin e punëve. Pas kësaj, firmat nisnin menjëherë punët me shpenzimet e tyre dhe tërhiqeshin pasi nuk merrnin asnjë nga këstet e premtuara nga Aliu. Pak ditë më parë prokuroria e kryeqytetit ekzekutoi vendimin e gjykatës për kontrollin dhe sekuestrimin e sendeve dhe dokumentacionit që ndodhej në zyrat e fondacionit "Dejs & Partners Consulting" sh.p.k me administrator Indrit Aliun. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se kanë gjetur në këto ambiente tre kompjuterë dhe një sërë dokumentesh në zyrën e financës së firmës. Po kështu është gjetur se në këtë firmë punonin rreth 30 vetë ndërsa ende nuk dihet nëse këta kanë qenë të mashtruarit e radhës apo janë paguar nga Aliu për punën që kanë kryer. Nëpër kompjuterët e sekuestruar janë gjetur informacione të shumta, me të cilat pritet të zbardhet çështja. Prokuroria ende nuk ka ngritur akuzë mbi familjarë të Aliu për përfshirje në mashtrime. Aktualisht mendohet se prindërit e tij nuk kanë pasur dijeni për aktivitetin e të birit, po kështu edhe për punonjësit e fondacionit ende nuk ka dyshime të kenë bashkëpunuar në mashtrimet e kryera prej drejtuesit Aliu. Burime nga hetimi i çështjes pohojnë se në zyrat e Indrit Aliut janë gjetur dhe sekuestruar gjithashtu një sërë dokumentesh të falsifikuara, çka çojnë në përfundimin se ai prodhonte dokumentet me të cilat më pas mashtronte biznesmenët e ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›