Vrasësi i policëve, tentoi arratinë
Trazhgim Sokolaj
Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbulojnë fakte të reja mbi ngjarjen e rëndë të vrasjes së dy ofice-rëve të policisë së Kukësit, tetë ditë më parë më 23 mars. Autori që ekzekutoi Shkëlzen Dobrushin dhe Ramadan Hilën ka pasur fërkime të vazhdueshme me dy oficerët, ndërsa episodi më i rëndë duket se është konsumuar më 17 mars 2009. Atë mbrëmje, në shoqërinë e disa miqve të tij, vrasësi i policëve Afrim Hasani kishte konsumuar pije alkoolike në një lokal të zonës në Shënmri e më pas kishte thyer disa pajisje. Pronarja e lokalit ka kërkuar menjëherë ndërhyrjen e policisë ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy oficerët Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi. Ata kanë tentuar të ndalonin Afrim Hasanin me akuzën e shkatërrimit të pronës, por ai ka kundërshtuar fizikisht dhe në mënyrë verbale. Si pasojë e komunikimit të sforcuar, Prokuroria tha se Afrim Hasani ka qëlluar oficerin Ramadan Hila ndërsa ky i fundit i është përgjigjur 34-vjeçarit në të njëjtën mënyrë. Ky moment dhe incidenti i ndodhur në publik, duket se ka qenë çasti pas të cilit gjithçka ka ndodhur mes palëve është konsideruar si "personale".
Dështimi i arrestit
Disa orë pas sherrit me punonjësit e policisë, i acaruar në kulm Afrim Hasani mësohet se ka qëlluar me armë zjarri makinën e një prej miqve të tij. Një gjest i tillë ishte kryer nga 34-vjeçari në shenjë mospranimi për qëndrimin e mbajtur nga miqtë e tij, që nuk e kishin përkrahur në përplasjen fizike me oficerët e policisë. Këta të fundit kanë depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Kukësit ndaj Afrim Hasanit, duke e akuzuar për kundërshtim të punonjësve të policisë si dhe fyerje për shkak të detyrës. Prokuroria mësohet se kishte nxjerrë urdhër-ndalimi për 34-vjeçarin Afrim Hasani. Një vendim i cili nëse do të ishte zbatuar nga kolegët e policëve të vrarë, dy oficerët e Kukësit mbase do të kishin një tjetër fat. Urdhër-ndalimi i nxjerrë nga Prokuroria ka mbetur pa u ekzekutuar, pasi policia shkoi në banesën e Afrim Hasanit, por ai nuk u gjet aty ndërsa po shikonte veprimet e uniformave blu, duke qëndruar jo shumë larg në periferi të fshatit. "Vizita" e policisë në shtëpi duket se e ka acaruar Afrim Hasanin, i cili mbrëmjen e 23 marsit 2009 ka marrë armën e më pas ka shkuar në vendshërbimin e dy oficerëve, duke vrarë me një plumb të vetëm Ramadan Hilën dhe me pesë plumba oficerin tjetër Shkëlzen Dobrushi.
Tentativa e arratisë
Pasi ka ekzekutuar dy oficerët e policisë, Ramadan Hasani ka kryer disa telefonata me vjehrrin, motrën dhe babain e tij. Në këto telefonata ai ka pranuar se kishte vrarë policët, ka lënë amanet fëmijët e gruan e më pas ka pohuar se do të largohej. Mes këtyre telefonatave, sipas Prokurorisë ka qenë edhe një komunikim i ekzekutorit të dyfishtë me një nga miqtë e tij të ndodhur në emigracion. I arrestuari i ka kërkuar mikut të tij një shumë financiare që do t'i mundësonte largimin jashtë Shqipërisë por ka marrë përgjigje se kjo çështje do të zgjidhej për disa ditë. Më pas Afrim Hasani është strehuar në një nga banesat e zonës, ku u arrestua nga forcat speciale ende pa mbushur 24 orë nga vrasja e oficerëve të policisë së Kukësit.
Dosja në gjykatë, 4 akuza Hasanit
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda do të dërgojë në gjykatë brenda pak ditëve, dosjen penale për vrasjen e dy oficerëve të policisë së Kukësit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave pjesa kryesore e veprimeve hetimore-proceduriale për zbardhjen e ngjarjes është kryer. Prokuroria mësohet se ka dokumentuar momentet që kanë të bëjnë me origjinën, shkakun dhe mekanizmin e krimit. Prokuroria tha se brenda pak ditëve dosja penale do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku Afrim Hasani akuzohet për vrasje për shkak të cilësive të veçanta, armëmbajtje pa leje, kundërshtim të forcave të policisë dhe fyerje për shkak të detyrës.