Në gjyq kirurgu i akuzuar përkorrupsion
TIRANE - Shkon në gjykatë Ardian Nelaj, kirurgu i akuzuar për korrupsion. Dosja në ngarkim të tij është regjistruar ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë kësaj gjykate. Sipas burimeve, dosja është depozituar në sekretarinë e kësaj gjykate dhe në ditët në vijim pritet të fillojë procesi gjyqësor në ngarkim të mjekut. Mjeku kirurg Ardian Nelaj u arrestua nga policia në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, pas një denoncimi të bërë nga një qytetar, sipas të cilit mjeku i kishte kërkuar para nën dorë për kryerjen e një operacioni. Arrestimi i tij u krye nga operacioni i koduar "Standardi i garantuar". Ndalimi i tij erdhi pas disa ditë mbajtjesh nën vëzhgim nga agjentët e anti-krimit Financiar të Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me njësinë Tas-Force të Prokurorisë së Tiranës. Pas arrestimit të tij, Gjykata e Shkallës së Parë e la mjekun në masën e sigurisë "arrest me burg". Ndërsa pas apelimit të këtij vendimi nga ana e kirurgut, me detyrë shef i klinikës së Spitalit të Burgut Tiranë, ai përfitoi masën e sigurisë "arrest shtëpie". ar.ba