Dëshmon Fran Marashi: Si u arratisëm nga burgu i Burrelit
BURREL - Ndërsa po mbushet 1 vit nga arratisje e bujshme nga burgu i Sigurisë së Lartë Burrel, në gjyqin ndaj dy të arratisurve dhe administratës së këtij institucioni, një prej të dënuarve merr përsipër të gjithë ngjarjen. Fran Marashi, i cili bashkë me Pashk Lleshin, të dy të dënuar përjetë u arratisën më 5 prill të vitit të shkuar, i kërkoi Gjykatës së Matit "gjykim të shkurtuar". Lleshi është mbrojtur me avokat, ndërsa Marashi është vetëmbrojtur, madje disa herë në fjalën e tij ka theksuar se, askush tjetër nuk duhet të merret në qafë për arratisjen, pasi gjithçka e ka kryer i vetëm. "Telat e dritareve i kam prerë unë, ka sqaruar ai. Pasi kam siguruar një sharrë, kam nisur punën për prerjen e telave. Sharrën zakonisht e fshihja në banjë, aty ku mund të gjenden plot sende të ndaluara që mbajnë të dënuarit. Kam punuar disa ditë për sharrimin e tyre, pasi kangjellat ishin të trasha. Ditën që u zbulua se telat e dritareve ishin prerë sajova arratisjen dhe i tregova Pashkut". Marashi ka përsëritur disa herë se as drejtorët e burgut, Sh.Dushku e E.Brahilika, as punonjësit e sigurisë dhe askush tjetër nuk kishte ndikim në largimin e tyre, duke përjashtuar çdo bashkëpunim në arratisje. h.p