E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet akuza e trafikut, Arben Laze hetim e gjykim në Lushnje

 

TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi t'i delegojë për kompetencë hetimi Prokurorisë së Lushnjës, dosjen penale në ngarkim të presidentit të klubit të futbollit Elbasani. Kur afati hetimor i dosjes është drejt fundit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rrëzuar akuzën për "trafik droge" ndaj Arben Lazes, duke ngritur ndaj tij akuzën për "mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike". Kjo vepër penale nuk është në kompetencën e hetimit të Krimeve të Rënda dhe për këtë shkak, dosja i kaloi Prokurorisë së Lushnjës. Procedimi penal është dërguar në Prokurorinë e këtij qyteti, për shkak se droga për të cilën akuzohet Arben Laze dhe tre të arrestuarit e tjerë, u kap në Lushnjë mesnatën e 23 dhjetorit 2008 pas një kontrolli në makinën e korrierit të heroinës Shkëlqim Hyzmo. Duke qenë se vepra penale është konsumuar në qytetin e Lushnjës, Krimet e Rënda kanë vendosur të shpallin moskompetencën e hetimit të çështjes dhe dërgimin e saj në Prokurorinë e Lushnjës. Vendimi i Prokurorisë për ndryshimin e akuzës ndaj Arben Lazes, ishte i pritshëm për shkak se nga tërësia e provave të grumbulluara në dosje, nuk faktohej që ai personalisht të kishte marrë heroinën në Maqedoni dhe ta kishte tranzituar atë në kufirin mes dy vendeve. Akuza e trafikimit të drogës kërkon që Prokuroria të provojë se personi i pandehur për këtë vepër penale, të ketë tranzituar sasinë e kapur të lëndës narkotike, së paku në kufirin mes dy vendeve. Për shkak se një gjë e tillë nuk u provua në ngarkim të Arben Lazes dhe katër personave të tjerë, atëherë akuza e trafikimit është rrëzuar. Ndaj të pandehurve është lënë në fuqi akuza për "mbajtje dhe shitje" të lëndëve narkotike. Vendosja e kësaj akuze në adresë të Arben Lazes mësohet se do të ketë veç dënimit të mundshëm më të vogël edhe efektin e lirimit të pasurive të sekuestruara. Presidentit të sport-klub "Elbasani", Prokuroria i bllokoi një kredi të marrë prej tij në vlerën e 350 mijë eurove, një objekt banimi në Elbasan me tri apartamente, si dhe aksionet që zotëronte te klubi i mirënjohur i futbollit. Me ndryshimin e akuzës në "mbajtje dhe shitje" të lëndëve narkotike, automatikisht bie vendimi për bllokimin e pronave të Arben Lazes. Ai u arrestua më 24 dhjetor 2008, pasi një natë më parë në qytetin e Lushnjës, në makinën e shtetasit Shkëlqim Hyzmo u kapën 1030 gramë heroinë. Lënda narkotike mësohet se ishte porositur nga Arben Prifti, banues në Fier. Ai e kishte porositur drogën tek Arben Laze ndërsa ky i fundit ka futur në veprim të vëllain Fatjonin, për dorëzimin e saj. Marrësi i heroinës për llogari të Arben Priftit ka qenë Shkëlqim Hyzmo, i cili u arrestua i pari ndërsa policia më pas kapi gjithë personat e implikuar. Siç duket marrja me vonesë e sinjalit nga policia ka qenë shkak për pamundësinë e verifikimit të personave që e kanë sjellë heroinën nga Maqedonia, para se ajo të mbahej në Elbasan e më pas të shitej në qytetin e Lushnjës.                                         tr.so 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›