Ekzekutohet e digjet emigranti
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Ekzekutohet me armë zjarri e më pas i vihet flaka shtëpisë së emigrantit të sapokthyer. Viktima është Bujar Krasniqi nga fshati Gradisht i Lushnjës, ndërsa shpëtuan mrekullisht tre fëmijët e tij, më e madhja 13 vjeçe. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Fqinjët kanë parë rreth orës 02:50 teksa banesa e 45-vjeçarit, i cili pak ditë më parë ishte kthyer nga Greqia, ishte përfshirë nga flakët. Ndonëse fillimisht ngjarja u konsiderua aksidentale, për shkak të ndonjë shkëndije elektrike, policia hodhi më pas dyshimet për elementë kriminalë në të. Kjo për shkak se në trupin e Bujar Krasniqit u konstatuan plagë të shkaktuara nga një armë zjarri. Sipas burimeve të policisë, viktima është ekzekutuar me dy plumba në trup dhe më pas i është vënë flaka shtëpisë. Duke u nisur nga mekanizmi i kësaj ngjarjeje, ka dyshime se 45-vjeçari mund të ketë pasur konflikte të forta me persona ende të paidentifikuar. Kjo tashmë mbetet për t'u hetuar. Tronditëse ka qenë dëshmia në prani të një psikologu e vajzës së madhe të viktimës, 13-vjeçarja me inicialet I.K. Ajo ka deponuar se kishte parë nga dritarja personin që u vuri zjarrin, i cili dukej sikur kishte veshur rroba të kuqe. E tmerruar ajo ka mundur të marrë dy fëmijët e tjerë që ndodheshin në të njëjtën dhomë dhe t'i nxjerrë përjashta, përpara se flakët të përpinin gjithçka. Por nga frika vajza nuk ka mundur të futet në dhomën e të atit, i cili ishte vrarë më parë. Tomorri, vëllai i Bujar Krasniqit, rrëfeu momentet kur 13-vjeçarja kishte shkuar e tmerruar në banesën e tij dhe i kishte treguar çfarë po ndodhte në shtëpinë e saj. "Ishte shumë e traumatizuar. Arriti të më thoshte se kishte parë nga dritarja një njeri me rroba të kuqe, i cili po i vendoste flakën shtëpisë nga të gjitha anët. Më tregoi se doli vjedhurazi nga shtëpia dhe mori me vete dhe dy fëmijët e tjerë më të vegjël. Në dhomën e të atit nuk kishte parë gjë, nga nxitimi dhe frika. U nisëm drejt shtëpisë, por ishte e pamundur të ndërhyje. Shteti të vërë dorë dhe të gjejë përgjegjësit, pasi kanë lënë tre fëmijë jetimë", u shpreh vëllai i viktimës.
Sipas fqinjëve të Krasniqit, ata kishin parë flakët dhe kishin njoftuar menjëherë zjarrfikëset dhe policinë. Por për shkak të rrugës së ngushtë, zjarrfikëset nuk kishin arritur të futeshin gjer në vend. Burime të policisë thonë se viktima është qëlluar dy herë në trup. Dyshimet paraprake për motivin e kësaj ngjarjeje kanë të bëjnë me ndonjë borxh të mundshëm të viktimës apo implikimin e tij në veprimtari të tjera të dyshimta në shtetin helen. Por këto mbeten për t'u hetuar. Ajo çfarë policia konfirmoi është fakti se ka dyshime se autori të ketë pasur një ndjenjë hakmarrjeje shumë të madhe karshi viktimës. Kjo pasi ai nuk është mjaftuar vetëm me vrasjen e tij, por ka tentuar t'i eliminojë gjithë familjen, duke dashur t'i djegin të gjallë. Të njëjtat burime bënë të ditur se Krasniqi nuk kishte pasur asnjë konflikt të hapur, ndërsa emri i tij nuk figuron në listat e kontingjentëve kriminalë. Mësohet se bashkëshortja e viktimës nuk është ndodhur në shtëpi në momentin e ngjarjes. Ajo kishte pasur një fatkeqësi në rrethin e të afërmve të saj në Pogradec dhe kishte shkuar për ngushëllime.