E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyq të shkurtuar Priftit të Karavastasë

 

TIRANE - Gjykim të shkurtuar për priftin e akuzuar për trafik klandestinësh. Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën për gjykim të shkurtuar, të bërë nga mbrojtësit ligjorë të të pandehurve të arrestuar nga operacioni "Korridori i lirë", mes të cilëve edhe prifti i fshatit të Karavastasë, Mihal Shuli. Vendimi u dha nga gjyqtari Femi Petku, i cili po gjykon këtë çështje në shkallën e parë të Gjykatës së Tiranës. Sipas vendimit, çështja do të gjykohet duke u bazuar në aktet që ndodhen dhe në seancën e ardhshme prokuroria do të përgatisë konkluzionet përfundimtare. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë Mihal Shuli, Altin Qatipi, Artur Likollari, Edmond Tollkuci, Gani Vllazeria, Ilia Cipi, Irfan Dalipaj, Leonard Belortaja, Manol Xhamia dhe Rajmond Duro.    Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin funksiononin si një grup që ndihmonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve për në Greqi e më pas në Itali. Akuzat që rëndojnë mbi ta janë "korrupsion", "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit", "falsifikim i vulave, stampave ose formularëve" dhe "prodhim i mjeteve për falsifikim dokumentesh".                             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›