E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Mos largoni njerëzit nga puna, po digjen paratë

 

Fabiola Çela.

Qeveria nuk duhet të largojë nga puna punonjësit e administratës shtetërore, në të kundërt të gjitha investimet që kryhen për trajnimin e këtyre punonjësve janë të kota. Duke qenë se jemi në një vit elektoral, lëvizjet e punonjësve të administratës shtetërore do të jenë në qendër të vëmendjes së Komisionit Evropian. Deklarata është dhënë nga vetë shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë lançimit të projektit të Bashkimit Europian për decentralizimin.
Apeli
përfaqësuesi i KE-së në Tiranë i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të mos kryejë largimeve të pamotivuara të punonjësve të administratës shtetërore. “Të gjitha përpjekjet dhe fondet që ne po sigurojmë mundet që shumë lehtë të shkojnë dëm nëse nuk do të ketë stabilitet në administratë, në qoftë se këta njerëz që janë në administratë dhe për të cilët ne dhe ju po investojmë sot, nuk do të jenë më në zyrën e tyre nesër. Stabiliteti i administratës publike është një pikë kyçe, do të jetë një çështje kyçe dhe do të monitorohet nga afër sidomos këtë vit”, u shpreh ambasadori i KE-së, Helmut Lohan. Në fjalën e tij ambasadori tha se paralajmërimi i tij është i vlefshëm për të gjithë politikën. “Do të doja të inkurajoja të gjitha partitë në këtë projekt, ato që janë të përfshira dhe të interesuara në integrimin e Shqipërisë të bashkojnë përpjekjet dhe ta kthejnë çështjen e stabilitetit në administratë në një objektiv të tyre”, theksoi Lohan. Zbatimi i projektit prej 1 milion euro do të vazhdojë deri në korrik të vitit 2010 dhe nëse ky projekt do të ketë sukses janë përcaktuar edhe 1.5 milionë euro të tjera për vazhdimësinë e ndihmës në këtë fushë. Në fakt ndërrimi i pushteteve në Shqipëri është shoqëruar vazhdimisht me ndryshime edhe në administratë, ku punonjësit e rinj i përkasin forcës politike që është në pushtet. Por kjo praktikë është kritikuar edhe nga vetë ndërkombëtarët.
Bode
Gjatë lançimit të projektit të Bashkimit Europian për decentralizimin, merrte pjesë edhe ministri i Financave, Ridvan Bode. Ministri Bode e konsideroi këtë projekt një hap të rëndësishëm në partneritetin e qeverisë shqiptare me Komisionin Evropian. “Të gjithë konstatojmë se Shqipëria ka bërë hapa të sigurt e të dukshëm në proceset e saj integruese”, vijoi Bode, ndërsa theksoi dhe rëndësinë e miratimit të paketës ligjore të qeverisë për anëtarësimin në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›