Gazsjellësi Trans-Adriatik,Shqipëria vend tranziti
Shqipëria do të jetë pjesë e gazsjellësit Trans-Adriatik. Gjatë punimeve të djeshme në forumin ekonomik të Crans Montana-s, kompanitë e huaja e kanë parë me interes që Shqipëria të jetë vend tranzit në këtë projekt. Aktualisht Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë të vetmit shtete evropiane, të cilët nuk janë lidhur me rrjetet ndërkombëtare të gazit. Por duke qenë se kërkesat për gaz sa vinë dhe rriten gjithnjë e më shumë, Shqipëria e ka të nevojshme që të jetë pjesë e këtij rrjeti ndërkombëtar. Një prej këtyre projekteve është ai i gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili do të nisë nga Bari i Italisë, do të kalojë në Seman në Shqipëri dhe do të përfundojë në Selanik të Greqisë. Por vendimmarrja politike për këtë projekt pritet të merret në gjysmën e dytë të vitit. “Ne jemi në negociata me qeverinë greke për zhvillimin e këtij projekti. Me qeverinë shqiptare bisedimet kanë qenë pozitive, gjithashtu edhe me ato me qeverinë italiane. Në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik, Shqipëria dhe Greqia do të jenë vende tranzitore dhe si të tilla do të bëhen shumë të rëndësishme në Evropë përsa i përket furnizimit me gaz”, tha përfaqësuesi i Kompanisë “Stat-Oil”, Naske Afezolli. Ndërsa përfaqësuesi i Komisionit Europian, Markus Brokhof tha se, “Komisioni Europian po përgatit një paketë masash rregullatore për të evituar këto kriza. Një hap i madh është krijimi i infrastrukturës ndërkombëtare të gazit duke ofruar investime”. Sipas ekspertëve, ky projekt do të ndihmojë në diversifikimin dhe sigurinë e furnizimit me gaz të vendeve të Europës. Ky projekt vlerësohet si gazsjellësi më eficient nga të katër projektet e korridoreve të furnizimit të Europës Juglindore. Projekti përfshin opsionin e zhvillimit të depozitave natyrore të gazit në Shqipëri, i cili është goxha i rëndësishëm nga pikëpamja e rritjes së sigurisë së furnizimit me gaz. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për vetë strukturën energjetike të Shqipërisë, pasi ndikon në rifutjen e përdorimit të gazit në vendin tonë si dhe pritet të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në vend.