NATO, Topalli: Kali nuk ndërrohet në mes të garës
Një ditë pas votimit të paketës së anëtarësimit në NATO nga ana e Kuvendit, Jozefina Topalli akuzoi Edi Ramën për mos vlerësim të këtij procesi. Kryetarja e Kuvendit në turin e nisur në komunat e Lezhës, nën moton “NATO, ne mbajtëm premtimin”, tha se Rama ishte personi që nuk ishte më entuziasti nga miratimi i pesë projektligjeve për pranimin e anëtarësimit në NATO. “Por ju e kuptuat se i vetmi njeri që nuk u gëzua ditën e djeshme, por vetëm nxinte ishte Edvin Rama. Unë shpreh keqardhjen sesi një parti e konsiderueshme e opozitës drejtohet nga një njeri i cili s’është asgjë më shumë, sesa një dispeçër korrupsioni dhe një sekser i lejeve të ndërtimit”, tha Topalli. Ajo gjithashtu u mor edhe me debatin televiziv të dy ditë më parë, të zhvilluar nga lideri i PS-së. “Shqiptarët patën rastin të ndiqnin në një debat televiziv, një individ që thoshte “asgjë”, një individ që shprehte “hiç’, theksoi individ sepse të gjithë deputetët e tjerë dhe çdo socialist i thjeshtë që ata përfaqësojnë janë njerëzit më krenar të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO” - u shpreh Kryeparlamentarja gjatë takimi me banorët e Blinishtit. “Tani kemi një garë tjetër të rëndësishme. Unë jam e bindur që shqiptarët do të kërkojnë vazhdimin e ndryshimit. Unë jam e bindur se shqiptarët nuk mund të pranojnë kurrë si alternativë, që të shpërblejnë dështimin. Ne kemi nevojë që të vazhdojmë ndryshimin. Kali nuk ndërrohet në gjysmën e rrugës. Ne do vazhdojmë me kurajo garat e tjera”, tha Topalli.