E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Koalicion me PS pas zgjedhjeve, atëherë vendoset emri i Kryeministrit

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i ftuar në emisionin “Ora e debatit” të gazetarit Alfred Peza në “Ora News”, tha se është i mundshëm bashkëpunimi me PS-së pas zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ne jemi forca që do të fitojmë zgjedhjet. Nëse nuk i fitojmë ato të vetëm, ne do të shikojmë mundësinë e koalicionit me PS, nëse nuk mund të qeverisnim të vetme”, tha Meta. Kryetari i LSI-së shprehu mendimin e tij në lidhje me çështjen e Kryeministrit të ardhshëm. I pyetur nga gazetarët në studio, Meta tha se çështja zgjidhet bazuar në rezultatin zgjedhor. “Kryeministri i takon asaj partie që merr 71 deputetë në Parlament. Emri i Kryeministrit do të dalë pas një diskutimi paszgjedhor”, tha Meta. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Meta tha se deklarata për bashkëpunim me PS erdhi pas spekulimit që iu bë deklaratës së Sali Berishës për koalicionin paszgjedhor me LSI-në. “Nuk shikoj asnjë kthesë në qëndrimin tonë ndaj PS. Qëllimi ynë është largimi i Berishës. Media spekuloi me koalicionin PD-LSI. Ishin mediat afër Ramës që spekuluan me koalicionin PD-LSI. Asnjëherë nuk jemi shprehur për një koalicion të tillë. Deklarata ime erdhi për të sqaruar këtë keqkuptim dhe spekulim nga disa media”, tha Meta. Kreu i LSI foli dhe për ish- kryetarin e PS-së, Fatos Nano. Sipas tij, Nano është një faktor që duhet vlerësuar. “Zoti Nano është një faktor që nuk duhet të neglizhohet, se si investohet ai është një përgjigje që duhet ta japë ai. Nano është një faktor i paneglizhueshëm sepse ka mbështetësit e vet. Zoti Nano nuk mund të trajtohet ashtu siç e trajtonte një deputet i PS, i cili u pasuruara kur ishte Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Çdo investim i Nanos në zgjedhje është pozitiv në funksion të rezultatit”, tha kreu i LSI-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›