E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmeni i vetëvarur, borxh që nga koha e piramidave

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Flijimi i biznesmenit nga qyteti i Fierit është një vetëvrasje. Kjo ka qenë deklarata e policisë së qarkut vetëm një ditë pas gjetjes së kufomës së 55-vjeçarit Et’hem Aliaj, në një pemë në pyllin e Semanit. Që nga momenti ku policia u njoftua për ngjarjen, grupi hetimor ka punuar për të hedhur dritë mbi shkaqet e ngjarjes. Për të arritur deri këtu janë pyetur të gjithë të afërmit dhe familjarët e biznesmenit të ndërtimit. Sipas deponimeve të tyre, prej kohësh babai i dy fëmijëve, nuk sillej normal, duke shfaqur çekuilibrim për shkak të mbingarkesës nga puna. Prej më shumë se 1 jave, mësohet që Aliaj kishte shfaqur probleme, pasi nuk shkonte në shtëpi dhe qëndronte për orë të tëra i vetëm. “Ishim bërë merak për faktin që Et’hemi nuk fliste shumë rreth problemeve që i ishin shkaktuar financiarisht. Sadoqë ne donim ta ndihmonim, mendonim se ai na mbante larg duke mos na dhënë asnjë mundësi për ta ndihmuar”, mësohet të kenë thënë familjarët gjatë marrjes në pyetje në polici. Janë ekspertë të kriminalistikës dhe prokurorë të ndryshëm ata që po merren me këtë çështje, e cila ka tronditur jo vetëm qytetarët fierakë, por edhe gjithë biznesin. Këqyrja e kufomës është bërë me imtësi në prezencë të mjekut ligjor dhe janë dashur kohë deri në daljen me versionin përfundimtar për vetëvrasje. Ndërkohë nga burime jozyrtare, nga personat që kishin njohje me viktimën, konfirmohet se Et’hem Aliaj ka pasur probleme për shkak të shumave të parave të marra në Fier që nga koha e firmave piramidale. Sipas tyre, fakt që po merret në hetim dhe nga policia, Aliaj kishte marrë para me përqindje te disa qytetarë, të cilëve u kishte premtuar kthimin në shumën e rënë dakord më parë. Pas falimentimit të firmave, Et’hemi ishte munduar shumë që të kthente paratë e marra. Nuk dihet nëse ua kishte kthyer apo jo paratë të gjithë personave, por shokë të tij, kanë pohuar se në disa raste, vite më parë, ai kishte marrë dhe kërcënime. Prej 4 vjetësh Et’hemi duket se kishte gjetur një farë stabilizimi, pasi kishte arritur të merrte disa kredi të vogla. Nga ana e policisë asnjë nga këto fakte nuk është konfirmuar si zyrtare por pohohen dëshmitë e familjarëve se ata kishin qenë të shqetësuar për 55-vjeçarin. Aliaj ka qenë deri në vitin ’90 ish-drejtor i Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës. Sipas të njohurve të tij, ai mundohej të kishte marrëdhënie të mira me të gjithë, në të kundërt vuante shumë. Duket se kjo anë e tij ndikoi negativisht, duke e shtyrë drejt depresionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›