Kryebashkiaku: 2009-ta më shumë investime
VLORE - Kryebashkiaku i Orikumit, Kanan Braho, radhiti dje arritjet e 2008-ës dhe prioritetet e vitit që po vjen. Ai u ndal tek investimet, të cilat sipas tij u shtrinë në infrastrukturë, ujësjellës, shkolla etj. Sipas Brahos, është në proces ndërtimi i unazës së re të qytezës së Orikumit, gjë që do të ridimensionojë planin urbanistik dhe zhvillimin e kësaj qendre urbane. “Zbatimi i projektit të ndërtimit të unazës, me një vlerë prej 1.25 milionë USD, që financohet nga qeveria dhe Banka Botërore, do të zgjerojë më tej hapësirën e zhvillimit dhe të investimeve në Orikum”, nënvizoi Braho. Në Orikum janë ndërtuar rrugët e brendshme si dhe tre të tjera në Tragjas, Rradhimë dhe Dukat. “Gjatë 2009-ës pritet të dyfishohet niveli i investimeve që do të shkojë në 500 milionë lekë. Do të përfundojë hartimi i studimit urbanistik të Orikumit, i vijës bregdetare që administrohet nga kjo njësi si dhe do të hyjë në proces konkretizimi, projekti i ndërtimit të ujësjellësit dhe sistemit të kanalizimeve”, u shpreh Braho. q.b