Vrasja e Deliut, pyeten bodigardët
Grupit hetimor i ngritur për vrasjen e dyfishtë të Elton Deliut dhe nënës së tij, kërkon të administrojë në dosje dëshmitë e bodigardëve të 32-vjeçarit të skeduar në trafiqe të paligjshme.Burime zyrtare nga hetimi i çështjes pohuan dje për gazetën “Panorama”, se të paktën dy persona ishin angazhuar javët e fundit në ruajtjen fizike të Elton Deliut. Gjatë lëvizjeve të tij në Tiranë, të cilat kohët e fundit ishin reduktuar dukshëm, 32-vjeçari shoqërohej nga të paktën dy persona që e ruanin kudo. Hetuesit thanë se ende nuk e kanë të qartë nëse personat që ruanin Elton Duliun kanë qenë bodigardë të punësuar mirëfilli për këtë qëllim, apo miq e të njohur të tij që i qëndronin pranë falë lidhjeve shoqërore me viktimën e atentatit të dyfishtë. Sapo janë vënë në dijeni të këtij fakti, hetuesit kanë vendosur të thërrasin në polici dy personat që ruanin Elton Deliun, me shpresën se ata duhet të kenë qenë në afërsi të pallatit ku u vra viktima, në kohën që vrasësit kanë hyrë aty. Pasi kanë mbledhur deklarime nga banorë të pallatit dhe të zonës, por edhe nga vetë të afërmit e viktimës, hetuesit e çështjes kanë mësuar se dy persona shoqëronin Elton Deliun pothuajse në të gjitha lëvizjet e tij. Në deklarimet e tyre, banorët e zonës dhe të pallatit ku ndodhi krimi, nuk kanë mundur të zbardhin detaje që ndihmojnë hetimin. Ata kanë pohuar se nuk kanë parë persona të panjohur apo të dyshimtë në pallAatin që ndodhet në zemër të ish-bllokut në Tiranë. Duke besuar se edhe të shtunën, rojat personale të Elton Deliut kanë qenë diku në afërsi të zonës, hetuesit kanë kërkuar t’i marrin ata në pyetje nëse kanë parë persona të dyshimtë të hynin apo të dilnin në pallat, në kohën kur 32-vjeçari dhe nëna e tij u ekzekutuan brenda në shtëpinë e tyre.
Dosja Kashari
Prej tri ditësh, agjentët e policisë që janë angazhuar në hetimin e vrasjes së Elton Deliut, kanë hartuar një listë me emra të dyshuar si armiq të viktimës. Bazuar në precedentët penalë të mëparshëm, por edhe në informacionet policore, hetuesit kanë listuar emra që lidhen me Elton Deliun si pasojë e implikimit të dyshuar në trafik narkotikësh, por edhe në konflikte pronësie. Konkretisht dyshohet se vetë 32-vjeçari ishte në konflikt me disa persona nga zona e Kasharit, për shkak se emri i Elton Deliut ishte përdorur për një pjesë të mirë të tokave që ish-kryekomunarët e kësaj zone, akuzohen se ua kanë marrë banorëve. Hedhja e disa trojeve në zonën e Kasharit në emër të Elton Deliut nga kryekomunarët, kur në fakt sipërfaqet e tokave u përkisnin personave të tjerë, dyshohet se ka qenë një shkak i fortë për konflikt me 32-vjeçarin. Burimet zyrtare nga policia thanë se nga këqyrja e telefonit të viktimës kanë arritur të mësojnë disa detaje në interes të hetimit, por hetuesit refuzuan të bëjnë publike elementë të tjerë lidhur me këtë fakt. Sipas tyre, aparati celular i Elton Deliut po verifikohet me kujdes për zbulimin e telefonatave apo mesazheve kërcënuese, por edhe për ndonjë informacion që vetë viktima mund të ketë ruajtur aty në lidhje me konfliktet apo rivalët e tij. Pasi kanë mësuar se 32-vjeçari lëvizte prej kohësh me makina të blinduara, madje ai kishte instaluar edhe një sistem kamerash vëzhgimi në pallat e së fundi kishte punësuar siç pretendojnë dëshmitarët, disa roja private, hetuesit dyshojnë se Elton Deliu duhet të ketë pasur sinjale apo presione të drejtpërdrejta, që e kanë detyruar të marrë masa për shmangien e rrezikut që mund t’i kanosej. tr.so
Armët dhe gjurmët e krimit, dalin të paskeduara
TIRANE – Gjurmët dhe shenjat e gjetura në banesën e Elton Deliut, aty ku ndodhi vrasja e dyfishtë, rezultojnë të paskeduara në arkivat e Policisë së Shtetit. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Panorama” nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas tyre, krahasimi i gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes si dhe krahasimi balistik i gëzhojave dhe predhave të sekuestruara ka rezultuar negativ. Gjurmët e daktiloskopike të futura në sistem dhe të krahasuara në mënyrë automatike nga vetë sistemi, kanë dhënë rezultat negativ. Po e njëjta gjë ka rezultuar edhe me gëzhojat dhe predhat e qitura nga së paku dy armë të ndryshme ndaj viktimave. Prania e dy armëve të ndryshme në skenën e krimit, është hedhur si hipotezë në vendin e ngjarjes nga ekspertët që kanë marrë pjesë në hetimet paraprake. Më tej një fakt i tillë është konfirmuar nga ekspertët specialistë në Institutin e Policisë Shkencore, të cilët kanë pohuar se gëzhojat e gjetura ishin qitur nga dy armë të ndryshme. Pas përfundimit të këtij veprimi, policia pritet të kryejë edhe procesin e përjashtimit të shenjave të gishtave të vendit të ngjarjes me ato të familjarëve të viktimave, me qëllim që më pas të ekspertohen shenjat që mund të kenë lënë ekzekutorët. d.b
Emri i Deliut, kërkohet në dosjen “Kashari”
TIRANE – Pjesa kryesore e abuzimeve me tokat në Kashar është zbardhur nga Prokuroria e Tiranës gjatë hetimeve ndaj ish-krerëve të komunës që u arrestuan një vit më parë gjatë aksionit “Kashari”. Dyshimet për konflikte pronësie të Elton Deliut në këtë zonë, janë bërë shkak që grupi i hetimit të hapë dosjen “Kashari” dhe të kërkojë aty të dhëna për 32-vjeçarin e vrarë bashkë me nënën e tij. Burime zyrtare nga hetimi thanë se po kërkojnë të dhëna në dosjen “Kashari” për pronarët e tokave, të cilat me anë të falsifikimeve dhe manipulimit të dokumenteve ishin hedhur në emër të Elton Deliut. Prokuroria tha se do të verifikojë këta persona, madje do t’i marrë në pyetje ata lidhur me atentatin e dyfishtë ndaj 32-vjeçarit, i cili mësohet se kishte lidhje familjare në komunën problematike në periferi të kryeqytetit.