Vodhi 350 euro, në pranga oficeri i policisë së Vlorës
VLORE - Arrestohet për vjedhjen e 350 euro oficeri i policisë së Vlorës. Ardian Merkaj u prangos dje nga kolegët e tij, pasi kishte shpërdoruar detyrën për të arritur qëllimin. Denoncimi dhe më pas zbulimi u bë nga një i moshuar, por që përfundoi me arrestimin e Merkajt dhe të një personi tjetër për mashtrim. Sipas burimeve zyrtare të policisë pohohet se vjedhja është kryer ndaj shtetasit Sefer Mehmeti, disa ditë më parë. I moshuari kishte marrë para 5 ditësh një shumë prej 350 eurosh që i kishte sjellë i biri emigrant në Itali. Gjatë rrugës për të marrë para në një pikë “Western Union”, Mehmeti ka hasur me një person, i cili e ka tërhequr drejt pikës e më pas i ka ofruar ndihmën e tij për të këmbyer eurot në lekë. Pasi merr shumën, rreth 42 mijë lekë, shoqëruesi i të moshuarit, i thotë se ishte bërë një gabim prej 7 mijë lekësh. Sipas tij, ato para do t’i rikthente tek pika e Exchang-it. Kur kthehet në shtëpi, Sefer Mehmeti numëron sërish paratë, duke e parë që kishte në dorë vetëm 35 mijë lekë dhe pse kishte këmbyer eurot. Ai niset drejt policisë për të denoncuar mashtruesin, ku ka takuar punonjësin e sektorit të parandalimit të krimeve, Ardian Merkaj. Mësohet nga burime të policisë se Merkaj i ka kërkuar qytetarit që t’i dorëzojë atij paratë për të nisur hetimin. Ndërkohë, në një procesverbal të falsifikuar prej tij rezultonte sikur të moshuarit nuk i ishin dhënë fare para nga pika e “Exchange”. Kur çështja iu dorëzuar prokurorisë, i moshuari kërkoi paratë, por ato nuk rezultonin më. Nga hetimet e kryera nga SHKB-ja është siguruar fatura e pikës valutore, e cila provonte paratë, ndërsa Merkaj nuk i kishte përfshirë fare në procesverbal, duke i përfituar personalisht ato. Pas thirrjes në ballafaqim, oficeri mësohet se e ka pranuar përfitimin e më pas humbjen e parave në kazino. Dhe pse ka shtuar se paratë do t’i kthente sërish, atij i janë vënë pranga për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. q.b