Zihen për radhën, thikë të miturit
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Një fëmijë 13 vjeç është bërë viktimë e agresionit të një 44-vjeçari për radhën në një dyqan ushqimor. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 të së dielës në lagjen nr.10 në Korçë. Në dyqanin e kësaj lagjeje, Naxhip Mustafaj është konfliktuar me minorenin, pasi 13-vjeçari “i pabindur” nuk pranoi t’i lironte radhën. Atëherë, Mustafaj nxori një thikë që mbante me vete dhe e qëlloi dy herë në pjesën e barkut fëmijën, njëkohësisht fqinjin. Ngjarja shokoi klientët e shumtë dhe pronarin e dyqanit P.Prifti. Ata i dhanë ndihmën e parë 13-vjeçarit të përgjakur, ndërsa sinjalizuan edhe prindërit e tij. Këta të fundit çuan në spital në gjendje të rëndë minorenin me inicialet K.S. Mësohet se pas ngjarjes, Naxhip Mustafaj është larguar në shtëpinë e tij, madje ka marrë edhe disa ushqime në qyqan. Nga frika e thikës që mbante në dorë, shitësi i është bindur duke i dhënë asortimentet që ai donte. Sipas dëshmitarëve okularë dhe shitësit, ata kanë mbetur të shtangur kur panë fëmijën që ra përtokë. Alarmi u dha kur e panë të gjakosur, ndërsa kishte humbur ndjenjat. Policia e sinjalizuar për ngjarjen arrestoi në kushtet e flagrancës në banesën e tij 44-vjeçarin. Ai mësohet se ka shfaqur pendesë për krimin e kryer, ndërsa ka pohuar se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër dhe në gjendje të dehur. Sipas burimeve, Mustafaj e kishte komshi fëmijën. Ai njihej në lagje si problematik, pasi në të shumtën e rasteve ishte i alkoolizuar. Policia tha se i arrestuari nuk rezulton të jetë me precedentë të mëparshëm. Ai u akuzua për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Blutë më pas morën në pyetje edhe pronarin e dyqanit si dhe disa klientë, të cilët u bënë dëshmitarë okularë të kësaj ngjarjeje. Sipas dëshmisë së tyre, fëmija kishte mbërritur i pari në dyqan. Pas tij ishte futur 44-vjeçari, i cili kishte tentuar të blinte para fëmijës. Por i mituri nuk pranoi t’i lironte radhën. Kaq është dashur që Mustafaj t’i kthehej atij me tone të ashpra, duke e akuzuar madje se ai i “tallte” nënën e moshuar kur e ndeshte në rrugë. “Unë do të blej para teje. Ti mos u ndiej që të më kthesh mua fjalët, pasi të njëjtën gjë bën edhe me nënën time. Ajo është e moshuar, por ti e ngacmon dhe tallesh sa herë që ndeshesh me të”. Kështu mësohet t’i jetë drejtuar 44-vjeçari fëmijës. Më pas ai ka nxjerrë nga xhepi thikën dhe e qëlloi duke e lënë pa ndjenja. Mësohet se i mituri është çuar me urgjencë në spitalin e Korçës. Sipas mjekëve, gjendja e tij është e rëndë për shkak të komplikacioneve. “Është goditur dy herë me thikë. Njëra prej tyre është tepër e rëndë, pasi i ka prekur organet jetësore, ndërsa goditja tjetër është më e lehtë, thuajse sa një gërvishtje”, bënë të ditur mjekët.