E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqësori dhe dhuna e policisë, objekt ankesash tek Avokati i Popullit

Një ekip përfaqësuesish nga Avokati i Popullit ka pritur në qytetin e Korçës denoncime dhe ankesa nga ana e banorëve të zonës, kryesisht për shkelje që vijnë nga zyrat institucionale dhe në raportet e qytetarëve me shtetin. Sekretari i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit, Gëzim Lleshi, ka bërë të ditur se nëse do të shihet i arsyeshëm, mund të nisë edhe verifikimi i rastit të vdekjes së fëmijës 6-vjeçar në spitalin e Korçës nga kafshimi i gjarprit. "Ne vihemi në lëvizje kryesisht mbi bazën e ankesave. Për këtë rast nuk ka pasur një ankesë pranë institucionit tonë apo pretendim ndaj bluzave të bardha, por kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të merremi me këtë rast nëse do ta shohim të arsyeshme", shprehet Lleshi. Denoncimet që vijnë nga banorët e Korçës u referohen më shumë rasteve të korrupsionit në administratë, ankesa ndaj vendimeve të Gjyqësorit dhe Përmbarimit, por dhe ndaj Policisë së Shtetit. Në një takim të hapur të Avokatit të Popullit me banorë të Korçës kanë dominuar ankesat që kanë lidhje me vendimet e Gjyqësorit e çështje të mbetura pezull të pronësisë mbi tokën. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të institucionit të Avokatit të Popullit, Gëzim Lleshi, banorët ende kanë probleme me sistemin gjyqësor, ndërkohë që denoncimet janë të shumta, kryesisht në drejtim të institucioneve të shtetit dhe ndaj policisë. "Ka një pjesëmarrje të konsiderueshme të shtetasve që i drejtohen Avokatit të Popullit nga Korça. Kryesisht ankesat që i drejtohen sistemit gjyqësor janë për zvarritje të proceseve gjyqësore apo për raste korrupsioni, por çdo pretendim duhet të verifikohet. Ankesa të shumta ka ndaj policisë dhe ne kemi bërë edhe verifikimet tona në terren", thotë Lleshi.

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›