E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmeni pagoi 100 mijë euro për heroinën

 

TIRANE- Tre personat e arrestuar tri ditë më parë në Librazhd, gjatë aksionit "Oktapodi" me tetë kilogramë heroinë, kanë paguar rreth 100 mijë euro për blerjen e drogës.  Shuma e majme financiare mësohet se disponohej prej të arrestuarve, pasi ata kishin disa biznese të fuqishme në zonë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton çështjen prej dy muajsh, dorëzoi dje në gjykatë kërkesat për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" ndaj tre të arrestuarve: Enver Gjura, 66 vjeç, djalit të tij Oltion Gjura, 22 vjeç dhe Ermal Gjura, 20 vjeç. Ata pritet të dalin para gjykatës ditën e sotme për t'u njohur me masat e sigurisë në të cilat do të mbahen deri në fund të hetimit. Tre të arrestuarit mësohet se kanë lidhje fisnore mes tyre. Mbi bazën e këtyre lidhjeve ata kishin filluar edhe bashkëpunimin në trafikimin e narkotikëve që hynin nga Maqedonia dhe përpunoheshin në Librazhd. Personat e kapur me drogë, sipas burimeve të policisë kanë aktivitete të fuqishme biznesi në qytetin e Librazhdit. Burimi financiar i këtyre bizneseve është duke u hetuar tashmë nga autoritetet e drejtësisë. Verifikimet e para të bëra deri më tani kanë zbuluar se Enver Gjura dhe djali i tij, të dy të arrestuar, kanë në pronësi një bar-restorant 4-katësh në qendër të qytetit të Librazhdit. Një aktivitet të njëjtë në fushën e bareve dhe restoranteve mësohet se disponohet nga të arrestuarit në dalje të qytetit të Librazhdit në krah të rrugës që niset në drejtim të Tiranës. Hetuesit thonë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të arrestuarit e kanë marrë heroinën në dorëzim nga disa persona që e kishin sjellë drogën nga Maqedonia pak ditë më parë. Tre të arrestuarit, sipas hetimeve, do ta dërgonin lëndën narkotike në Greqi me automjetet e tyre. Trafikimi i heroinës në drejtim të Greqisë, sipas akuzës bëhej pas përpunimit të saj në banesën e Evner Gjurës në Librazhd.                                                      tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›