Biznesmeni vret hajdutin në shtëpi,maskat grabisin një familje në Kamëz
Dashamir Biçaku
Biznesmeni pronar i servisit vret në mesnatë grabitësin që tentoi t’i vjedhë dyqanin ngjitur me shtëpinë. Ngjarja ka ndodhur në orën 00:30 të mesnatës së premte, kur disa persona kanë hyrë brenda rrethimit të objektit dhe kanë tentuar të grabisin një dyqan në pronësi të presidentit të Servis “Llanaj”. Pronari Feim Llanaj është arrestuar me akuzën e “vrasjes me armë zjarri në kushtet e mbrojtjes së nevojshme”. Dy persona të panjohur të dyshuar si bashkëpunëtorë të grabitësit që mbeti i vrarë, arritën të largohen nga vendi i ngjarjes me një automjet. Viktima, Pjetër Pjetri, 31 vjeç, nga Puka, me banim në Tiranë ka mbetur i vdekur, në brendësi të banesës së Feim Llanaj, në Unazën e Re pas përleshjes me të zotin e shtëpisë, pronar i një ndërtesës 5-katëshe, aty ku ndodhi ngjarja. Biznesmeni, sipas burimeve të policisë, ka arritur t’i marrë pistoletën grabitësit në përleshje e sipër duke e qëlluar me armën që hajduti mbante me vete. Pas ngjarjes, vetë pronari i shtëpisë ka lajmëruar policinë e cila më pas ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të nisur kryerjen e hetimit të ngjarjes. Përleshja mes pronarit të servisit brenda në banesën e tij, me një prej hajdutëve ka shkaktuar panik dhe ankth në familjen e biznesmenit Llanaj. Gruaja dhe dy fëmijët e vegjël, kanë mbetur të terrorizuar nga përleshja dhe të shtënat e armës.
Grabitja e dështuar
Vetëm 30 minuta pas mesnatës në banesën e familjes së Feim Llanajt kanë nisur të dëgjohen disa zhurma të një leve që mundohej të hiqte kanatën e dritares së dyqanit të katit të dytë. Gjithçka po ndodhte brenda rrethimit, në banesën e biznesmenit Llanaj. Gruaja, që sipas policisë dhe të afërmve ka qenë ende pa gjumë, ka ndjerë kërcitjet e levës që tentonte të hapte xhamin. Kjo e fundit mësohet se ka lajmëruar të shoqin, që kishte nisur të dremiste. Ai është zgjuar nga e shoqja dhe ka dalë për të vënë re se ç’po ndodhte në drejtimin nga vinte zhurma. Sapo ka dalë në derë, biznesmeni ka shquar se dy persona kishin ende një levë në dorë. Madje sipas pretendimit të Llanajt, në zyrën e hetimit të vrasjeve, një prej autorëve kishte në dorë një pistoletë. Biznesmeni ka nisur të përleshet me njërin prej grabitësve ndërsa hajduti tjetër është larguar nga banesa. Ai ka ikur me një automjet që ka qenë parkuar pranë banesës ku ndodhi ngjarja. Përleshja mes pronarit të servisit dhe grabitësit të mbetur të vetëm, ka zgjatur vetëm pak sekonda pasi sipas pretendimit të pronarit atij i ka rënë pistoleta nga dora dhe arma është marrë prej tij duke qëlluar në drejtim të agresorit. Pjetër Pjetri, 31- vjeçar, ka mbetur i vrarë me armë zjarri dhe sipas pretendimit të Feim Llanajt, krimi ka ndodhur me armën e grabitësit.
Hetimi
Policia ka mbërritur në banesën e Feim Llanajt, pas lajmërimit të dhënë nga ai vetë në sallën operative me anë të telefonit. Blutë gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë vënë re se grabitësi ishte qëlluar një herë në bark dhe një herë në dorë. Sipas ekspertëve, viktima ka marrë një plagë tejshpuese në bark që i ka prekur organet e brendshme dhe një plagë tjetër në dorë. Specialistët kanë administruar dy gëzhoja në vendin e ngjarjes, të cilat paraprakisht konfirmohen se janë qitur nga arma që mbante Feim Llanaj. Ky i fundit ka pohuar se ka mundur t’ia marrë armën në grindje e sipër grabitësit ndërsa ka tentuar ta qëllojë për ta plagosur dhe jo për ta vrarë. Hetuesit kanë marrë dëshminë e gruas së biznesmenit Feim Llanaj, e cila ka rrëfyer se kishte ndjerë zhurmën dhe kishte lajmëruar të shoqin. Policia me shumë vështirësi ka mundur të identifikojë autorin e vdekur të grabitjes, i cili nuk kishte dokument me vete dhe madje nuk ishte i skeduar për grabitje.
Rrëfimi i gruas së biznesmenit: Dëgjova zhurmën e levës në dyqan
TIRANE- Bashkëshortja e biznesmenit të arrestuar për vrasje në kushtet e kapërcimit të vetëmbrojtjes u ka treguar hetuesve por edhe të afërmve versionin e saj mbi ngjarjen e ndodhur mesnatën e të premtes, duke u gdhirë dita e shtunë. Ajo ka pohuar se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin rënë të flinin ndërsa fëmijët ishin në dhomën e tyre. “Ndjeja një zhurmë si kërcitje apo goditje. Fillimisht nuk po kuptoja gjë, por më pas arrita të kuptoj se zhurma vinte nga poshtë dhe po shtohej”. Kështu mësohet se i ka thënë ajo edhe të afërmve të familjes, që gjatë ditës së djeshme nuk pushonin së vizituari shtëpinë e familjes Llanaj në Unazën e Re. Bashkëshortja e të arrestuarit më tej u ka treguar të afërmve se duhej të ishte ora rreth 00:30 e ditës së djeshme, kur ka dëgjuar zhurmat dhe zgjoi të shoqin. “I thashë Feimit se diçka po ndodhte dhe dyshova se ishin hajdutë. Ai menjëherë u ngrit dhe shkoi për të parë ç’po ndodhte”, - mësohet të ketë pohuar gruaja. Ajo më pas, ka pohuar se është tmerruar kur ka kuptuar se në fakt i shoqi po përleshje me hajdutët, që kishin tentuar të hynin në banesë. Një deklarim të tillë gruaja e ka dhënë edhe para hetuesve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Madje ajo mësohet të ketë pohuar se i shoqi nuk ka pasur asnjëherë armë në shtëpi. d.b
Vidhet familja e emigrantit,lidhin njerëzit e shtëpisë
Katër persona terrorizuan familjen e një emigranti në Laknas të Kamzës dhe pasi i rrahën ata, u grabitën 12 milionë lekë të vjetra nga shtëpia.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 04:00, në banesën e Isuf Matranxhiut, rreth 60 vjeç, banues në fshatin Laknas në perëndim të Kamzës. Policia ka nisur hetimet mbi grabitjen, ndërsa dyshimet e para janë se autorët kanë qenë njerëz të njohur apo të afërm të familjes. Policia ka shoqëruar më tepër se 20 persona në cilësinë e të dyshuarve që kanë dijeni për krimin. Grabitja ka ndodhur në një kohë kur e gjithë familja Matranxhiu ka qenë në gjumë. Autorët kanë hyrë në mënyrë të papritur në banesë ndërsa mësohet se më parë kishin neutralizuar qentë e banesave, që të mos i pengonin gjatë kryerjes së krimit. Autorët kanë hyrë në banesë dhe kanë lidhur me litarë të gjithë pjesëtarët e familjes, të zotin, Matranxhiu, gruan e tij dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Më tej, grabitësit kanë bastisur të gjithë shtëpinë për të gjetur vendin ku ndodheshin paratë. Por për shkak se nuk kanë mundur të gjenin “thesarin”, autorët kanë ushtruar dhunë mbi të zotët e shtëpisë duke u kërkuar të tregonin ku i mbanin paratë. Nën kërcënimin e dhunës, familja e emigrantit është detyruar të dorëzojë paratë të cilat ishin vendosur në një vend të fshehtë nga i zoti i shtëpisë, Isuf Matranxhiu. Pasi kanë marrë paratë, grabitësit i kanë kërcënuar të dëmtuarit që të mos lajmëronin policinë.
Denoncimi
Ankthi dhe tmerri në familjen e emigrantit Matranxhiu me grabitësit që i kërcënonin për vrasje, ka zgjatur më pak se 30 minuta. Sapo agresorët janë larguar, policia është lajmëruar nga i zoti i shtëpisë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Laknas. Forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, dhe menjëherë kanë nisur hetimet për krimin. Hetuesve të policisë u është dashur të presin për shkak se familja e emigrantit ka qenë e tronditur dhe e tmerruar nga sulmi, çka i pengonte në rrëfimet e tyre për ngjarjen. Nga këqyrja e vendit të krimit, policia nuk ka gjetur gjurmë apo shenja të shtënash me armë zjarri. Një fakt të tillë, sipas burimeve të policisë, e kanë konfirmuar edhe të dëmtuarit. Ata kanë pohuar se kanë mbetur të terrorizuar nga hyrja e papritur e grabitësve, të cilët ishin të shumtë në numër. Menjëherë ata i kanë lidhur dhe më pas i kanë i kanë izoluar që të mos bërtisnin. Pas deklarimeve të marra, policia është munduar të zbulojë sa më shumë gjurmë të mundshme në banesë, por sipas hetuesve kjo ka qenë e pamundur për shkak se autorët kanë qenë me doreza. Për këtë shkak, ekspertët e kanë pasur të vështirë të zbulojnë apo gjejnë prova dhe gjurmë gishtash, të lëna nga autorët në vendin e ngjarjes.
Durrës, zbardhet identikiti i grabitësve
DURRES - Me shtat të gjatë, peshë mesatare, flokë të rëna dhe me një moshë që varion nga 25-30 vjeç. I tillë është njëri prej agresorëve që u përlesh dhëmb për dhëmb me tre familjarët Berberi në mesnatën e së premtes. Policia është vënë në kërkim të dy grabitësve, të cilët terrorizuan dhe masakruan në fshatin Rrashbull, Zenel, Ikbale dhe vajzën e tyre A.Berberi. Policia shkencore ka përballuar një volum të madh pune dhe rezultatet e para në dispozicion të drejtësisë nuk kanë vonuar. Në njërën prej dritareve të shtëpisë (vendi ku kanë hyrë grabitësit) është dalluar një gjurmë e pastër gishtërinjsh. Ato gjurmë janë futur menjëherë në kërkimin kompjuterik të personave me precedent penalë në Shqipëri, por deri tani del se ato janë të paskeduara. Në bazë të përshkrimit fizik të njërit prej agresorëve, janë kryer deri më tani 13 shoqërime, persona të cilët kanë qenë kryesisht me shtat të gjatë dhe flokë të rëna. Por asnjëri prej tyre nuk është i ndaluar, pasi nga analizimi i shenjave të gishtërinjve nuk rezultoi përputhje me shenjat e lëna në dritare. Sipas policisë nuk bëhet fjalë për ndonjë bandë mikrokriminaliteti, por për një grup personash me moshë të pjekur. Ky detaj tepër i rëndësishëm për hetimin u mundësua vetëm pas përpjekjeve të mëdha të vajzës 25-vjeçare, e cila në luftim e sipër me maskat arriti t’i heqë kapuçin njërit prej tyre. Ka qenë pikërisht ky moment ai që i ktheu fatet e luftimit trup me trup në favor të familjes Berberi. Ndërkohë mësohet se Ikbale Berberi dhe vajza e saj kanë lënë spitalin për të qëndruar në shtëpi. Banesa është duke u ruajtur në distancë nga efektivat blu të policisë së Durrësit, me qëllim sigurimin e jetës për dëshmitarët kyç të kësaj ngjarje. I vetmi person i familjes që është ende në rrezik për jetën është kryefamiljari 62-vjeçar Zenel Berberi. Ai ka pësuar trauma të forta në kokë, të cilat sipas mjekëve i kanë sjellë dhe komplikacione si të vjella, apo humbje të përkohshme ndjenjash. Mjekët i druhen faktit se i zoti i shtëpisë mund të ketë pësuar ndonjë dëmtim të enëve të gjakut në tru, ndaj i moshuari po trajtohet nga specialistët më të mirë të spitalit të Durrësit. Gruaja e tij, Ikbale, ka shpëtuar për mrekulli teksa është dëmtuar pa rrezik vetëm në njërin krah, ndërsa vajza është plotësisht e shëruar. Ngjarja ka vënë në lëvizje strukturat më të larta të Policisë së Shtetit, duke bërë bujë deri në Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë. Burime pranë policisë së Durrësit bëjnë me dije se numri i të shoqëruarve për grabitjen e dështuar në Rrashbull do të rritet në orët e ardhshme. o.u