E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Në mars vendimi për koalicionin

 

Aristir Lumezi

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zyrtarizuar dje nisjen e fushatës zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka lënë dritare komunikimi mes të majtës, duke përcaktuar muajin mars kur kjo forcë do të përcaktojë koalicionin e saj për në zgjedhjet e qershorit të këtij viti.
“Ne sot kërkojmë si Kryesi nga ju si Komitet Drejtues Kombëtar mandatin për të ndërtuar dhe formalizuar koalicionin fitues të zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që brenda muajit mars të formalizohet gjithçka që ka të bëjë me koalicionin, por edhe me programin, i cili do të jetë i përbashkët”, tha Meta. Gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare, e majta ende nuk ka një koordinim mes partive të saj, e ndërsa PS dhe kryetari i saj ka refuzuar një ftesë zyrtare dhe publike të Ilir Metës për të biseduar rreth Kodit Zgjedhor, i cili u kthye nga Presidenti në një përpjekje për të gjetur një konsensus më të gjerë se dy partitë e mëdha. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, kreu i saj Ilir Meta ka njohur anëtarët e tij se do të jetë anëtarësia e kësaj partie që do të vendosë për kandidatët për deputetë, duke sjellë në këtë mënyrë risinë në këtë proces përmes një procesi demokratik, siç është ai i votës. “Që sot në këtë mbledhje, ne nisim organizimin tonë për fushatën elektorale. Pra, shpallim gjendjen e fushatës elektorale në të gjitha strukturat tona, sepse fushata është në prag”, tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, parimi që do të seleksionojë kandidaturat për deputetë do të jetë “një anëtar një votë”. “Njëkohësisht, duke nisur që nga kjo mbledhje deri në mars, ne duhet të tërheqim mendimin e çdo anëtari të LSI-së për kandidatët për deputetë, sipas zonave, rretheve dhe qarqeve, me procedura transparente, sipas parimit ‘një anëtar, një votë’”, tha Meta. Mbledhja e djeshme e Komitetit Drejtues Kombëtar përcaktoi se që dje dhe në vazhdim, Kryesia e LSI-së do të kthehet në Shtab Qendror Elektoral, ndërsa kryesitë e LSI-së në rrethe do të kthehen në shtabe vendore elektorale, duke ndezur kështu motorët elektoralë të kësaj partie. Gjithashtu mbledhja e djeshme e KDK-së së LSI-së përcaktoi dhe piketat mbi të cilat do të orientohet programi i ri elektoral dhe qeverisës i kësaj partie. “Thelbi i programit tonë është rritja e mirëqenies për çdo qytetar shqiptar, e cila nis në radhë të parë nga lufta me program konkret kundër varfërisë dhe kundër monopoleve, që janë një nga arsyet themelore të rritjes së kësaj varfërie dhe polarizimit të frikshëm social në vend. Dhe, në këtë drejtim, në programin tonë në luftën kundër varfërisë, e cila prek në mënyrë tepër të rëndë dhe stresante gati 1/3 e shqiptarëve sot, pra në themel të këtij programi të luftës kundër varfërisë do të jenë bonusi jetik dhe punësimi jetik”, tha Meta. Duke vlerësuar mirëqenien e shqiptarëve si prioritetin e LSI-së në të ardhmen, Meta dha detaje se si mund të arrihet kjo. “LSI në reformën e asistencës sociale do të institucionalizojë modelin e ‘punësimit jetik’, i cili kushtëzon përftimin e ndihmës ekonomike kryesisht me punësimin në sektorin publik dhe sferën komunitare. Ky model do të përfshijë punësimin në shërbimet komunitare, si ato të mjedisit dhe ambientit, në shërbimet publike që lidhen me qendrat spitalore, rehabilituese, azileve të moshës së tretë, në mënyrë që edhe rritja e ndihmës ekonomike nëpërmjet punësimit jetik të individëve në nevojë të jetë në funksion të reduktimit të varfërisë, kohezionit social, si dhe të gëzojë një kompromis të gjerë social të taksapaguesve”, tha Meta. Sipas tij, “platforma socialiste do fokusohet në dy dimensione, në strategjinë e përkrahjes sociale për shtresat në nevojë, në të cilën do të prezantohet paketa e ‘bonusit jetik’ si dhe mbi iniciativat fiskale për rritjen e punësimit”.

Meidani, mes Ramës e Metës
Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, do të negociojë takimin Rama-Meta. “Grupi i të Urtëve” të PS-së ka ngarkuar ish-presidentin për të arritur një bashkim të së majtës para zgjedhjeve, por deri tani nuk mësohet të ketë ndonjë zhvillim në këtë drejtim. Në një takim të disa javëve më parë, ku ishin të pranishëm ish-presidenti Meidani, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, nënkryetari i LSI-së, Sabit Brokaj dhe një nga protagonistët në themelimin e PS-së në vitin 1991, Moikom Zeqo, u diskutua pikërisht për situatën në të cilën ndodhet e majta. Figurat e njohura të së majtës, Pëllumbi, Agolli, Meidani, Brokaj, por dhe Zeqo, vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën brenda të majtës, ndërsa kanë kërkuar bashkimin e tyre si garanci për të fituar zgjedhjet. Patriarku i PS-së, Dritëro Agolli, i cili vazhdimisht në komunikimet e tij mediatike e ka parë ndarjen veç e veç të së majtës, si një garanci në fitoren e ardhshme të Berishës, ka shprehur gatishmëri që të mbështesë ato shqetësime që ka shprehur vazhdimisht.

Lakrori: Kongres bashkimi të PS-së para zgjedhjeve

Aristir Lumezi

Anëtari i Asamblesë Kombëtare socialiste përmes një platforme të detajuar mirë i kërkon këtij forumi mbledhjen e kongresit socialist, që do realizojë bashkimin e të gjithë socialistëve në një parti. Lakrori i ka dorëzuar kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, platformën e plotë dhe kërkon mbledhjen brenda muajit janar të këtij forumi për realizimin e një projekti madhor, sipas tij institucional, që do garantonte fitoren absolute të së majtës në zgjedhjet e qershorit. Për këtë ai kërkon një proces transparent, larg interesave të vogla partiake apo të individëve pranë lidershipit socialist, për të bërë të mundur pjesëmarrjen dhe aktivizimin e të gjithë socialistëve, një pjesë e të cilëve nuk është përfshirë as në partitë aktuale të majta, PS, LSI dhe PS ‘91. “Socialistët sot janë të shpërndarë në disa parti dhe jashtë tyre. Kjo gjendje ka ardhur nga përplasjet e krerëve për pushtet personal, nga pasurimi abuziv i disave me pushtetin e ushtruar në emër të socialistëve dhe nga çdo e keqe tjetër që pjell egoizmi ekstrem. Me kalimin e kohës, fyerjet reciproke kanë ushtruar gërryerjen përkatëse dhe ndërkaq pas interesave të shpallura janë shtresëzuar interesa të tjera, që nuk përfaqësojnë socialistët, por që duan ta shfrytëzojnë potencialin e tyre (minimalisht deri sa të bëhen edhe zgjedhjet 2009)”, shprehet Lakrori në relacionin që shoqëron platformën e bashkimit.
Procesi
Ish-sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PS, propozon në detaje dhe mënyrën se si do të arrihet një bashkim institucional dhe transparent i të gjithë socialistëve. “Procesi i propozuar ka në qendër Kongresin, si institucioni më i lartë përfaqësues. Ky autoritet kolegjial, i përbërë nga delegatët aktualë të Kongresit të PSSH dhe të Konventës së LSI, si edhe nga përfaqësues të PS ’91, mblidhet njëherësh në të njëjtin mjedis dhe voton e shpall bashkimin. Gjithashtu kongresi miraton programin elektoral 2009 të partisë së bashkuar dhe bën ndryshimet e domosdoshme imediate në statut (duke i lënë plotësimet e tjera të statutit, për periudhën paselektorale 2009); këto ndryshime imediate duhet të ligjërojnë: bashkimin e strukturave partiake qendrore e vendore, duke përfshirë edhe forumet rinore e të grave; zgjidhjen e çështjes së kryetarit/kryetares së PS të bashkuar”, shprehet Lakrori në propozimin e tij. Projekti parashikon votimin e fshehtë me disa kandidatura, duke përfshirë kryetarët aktualë. Lakrori propozon që “në frymën e bashkimit dhe nga pikëpamja e kursimit të kohës dhe të energjive, duket më e udhës që ky votim të kryhet në Kongres; megjithatë, eventualisht Kongresi mund të vendosë që kjo zgjedhje të bëhet me votim 1A 1V nga anëtarësia e partisë së bashkuar. Në çdo rast votimi të bëhet i fshehtë, duke rikonfirmuar njërin ose konfirmon një tjetër, i cili vlen edhe si votëbesim”. Lakrori argumenton se nga kjo pikëpamje zgjedhja apo rikonfirmimi vlen shumë më tepër tani, sepse fuqizon ose korrigjon tani, sesa ditën e zgjedhjeve parlamentare dhe më pas. Duke e parë të gjithë këtë proces si një testim dhe të së majtës para zgjedhjeve të përgjithshme, Lakrori shprehet se “delegatët e ardhur nga të gjitha formacionet e kanë të qartë se rezultati i zgjedhjeve 2009 në jetën e një populli të tërë, peshon pa asnjë dyshim shumë herë  më tepër se sa karriera politike e çdo lloj individi drejtues. Pra, ashtu si bashkimi, edhe zgjedhja (rizgjedhja) e kryetarit/kryetares është jo marrëveshje e drejtuesve, por detyruese për drejtuesit, që të plotësojnë vullnetin e kongresit të delegatëve të bashkuar”. Anëtari i Asamblesë Kombëtare i kërkon këtij forumi që propozimi i tij të shqyrtohet dhe domosdoshmërisht të votohet në të. “Bashkimi i socialistëve shqiptarë do të shërbejë interesa madhore. Prandaj propozimi kërkon shqyrtim dhe votim (miratues ose kundërshtues) nga AKS, që është forumi më i lartë kolegjial ndërmjet dy Kongreseve të PSSH. Për një çështje të tillë nuk mund të vendosë askush individualisht, cilido qoftë pozicioni përkatës partiak”, shprehet Lakrori. Por anëtari i Asamblesë Kombëtare paralajmëron rezistencën që do t’i bëhet projektit të bashkimit të socialistëve nga disa individë në minorancë. “Para provës së bashkimit, nuk janë socialistët e thjeshtë, as strukturat vendore, as shumë drejtues të strukturave qendrore, por vetëm ata individë, të cilët, pavarësisht se në cilën parti bëjnë pjesë aktualisht, e shohin bashkimin në një parti si rrezik për projektet e tyre personale politike dhe për interesa të tjera, që eventualisht qëndrojnë pas tyre. Megjithatë, këta janë fare pak krahasuar me shumicën që kërkon bashkim. Para provës janë ndër të tjera, edhe ftesat që i bëhen popullit për bashkim, në emër të partive të ndryshme socialiste; ftesat dhe angazhimet e tjera të socialistëve të bashkuar do të jenë më të besueshme”, shprehet Lakrori në kërkesën e tij.

Platforma e bashkimit drejtuar Asamblesë

Asambleja Kombëtare e PSSH, për realizimin e bashkimit të socialistëve propozon: 

I. Mbledhjen e Kongresit të bashkimit të socialistëve shqiptarë në PSSH, me pjesëmarrjen e delegatëve aktualë të Kongresit të PSSH dhe të Konventës së LSI, si edhe të përfaqësuesve të PS ’91. Ky kongres:

1- Voton dhe shpall bashkimin e të gjithë socialistëve shqiptarë në PSSH. Paraprakisht shpallet shkrirja e LSI dhe PS ’91.

2- Miraton ndryshimet e domosdoshme imediate në Statut
(plotësimet e tjera bëhen pas zgjedhjeve 2009). Ndryshimet
imediate ligjërojnë:
a -Bashkimin e AKS me KD të LSI dhe përfaqësues të PS ’91;
b -Zgjedhjen e kryetarit/kryetares së PS të bashkuar;
c -Shtrirjen e bashkimit në nivelet vendore të strukturave partiake dhe përshtatjen e
strukturave elektorale 2009;  
d -Njohjen dhe garantimin eksplicit të së drejtës për organizimin e fraksioneve në forumet përfaqësuese qendrore (mbi bazë platformash të votuara drejtpërdrejt dhe me mbështetje konsistente nga anëtarët e partisë), si garanci strukturore për demokraci të brendshme, respektim të pakicave në parti përmes përfaqësimit të tyre të organizuar dhe kontroll e vetëkorrigjim të qeverisjes socialiste;
e -Konkurrimin e hapur në parti dhe në komunitet
për të përcaktuar përfaqësuesit e PSSH në listat e  kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2009;
f -Bashkimin e forumeve rinore dhe të grave.

3- Miraton programin politik dhe elektoral të PSSH për zgjedhjet 2009.

II. Krijimin e Komisionit të Përbashkët organizator të Kongresit të bashkimit. Ky komision:
1. Përpunon elementet teknike të procesit të bashkimit.
2. Përgatit projekt-tekstet e dokumenteve të Kongresit.
3. Harton dhe shpall programin e hollësishëm të veprimeve deri në Kongres.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›