E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bjellorusi 12 te vdekur e 149 te plagosur nga shperthimi ne metro

12 të vdekur dhe 149 të plagosur. Është ky bilanci si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në stacionin e trenit, Oktiabërskaja të kryeqytetit bjellorus, Minsk, të ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Në kohën e shpërthimit të fuqishëm stacioni ishte i mbushur me njerëz. Zyra e presidentit të vendit, Aleksandër Lukashenko ishte vetëm 100 metra larg vendngjarjes. I gjithë vendi u përfshi nga paniku e në kryeqytet është shpallur gjendja e emergjencës.

Presidenti i vendit nuk ngurroi ta quante ngjarjen një akt terrorist, ndërsa ministri i brendshëm Anatoli Kuleshov, tha se bëhej fjalë për një sasi eksplozivi 5-7 kilogramë.

Reagimi ndërkombëtar ishte i menjëhershëm. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun shprehu ngushëllimet për këtë ngjarje tragjike, ndërsa presidenti rus, Dmitri Medvedev ofroi ndihmën e Rusisë për hetimin e ngjarjes.

Autoritetet nuk kanë përjashtuar lidhjen e këtij sulmi me atë të vitit 2008, kur shpërthimi i një bombe gjatë një koncerti në Minsk shkaktoi më shumë se 50 të plagosur.

Prej muajsh Bjellorusia shoqërohet nga gjendje tensioni. Më shumë se 700 persona, përfshirë edhe 7 kandidatët presidencialë janë arrestuar në protestat kundër rizgjedhjes së presidentit Lukashenko.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›