Ndihma ekonomike, miratohet projektligji i ri, 4500 përfituesit që do t’i shtohen skemës
Jonida Tashi
Miratohet projektligji i ri “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, sipas të cilit, në skemën e ndihmës ekonomike do të përfshihen rishtazi disa kategori të reja përfituesish që nuk kanë qenë më parë pjesë e saj. Bëhet fjalë për pesë kategori që do t’i shtohen skemës së ndihmës ekonomike, të cilat në shifra janë: 800 jetimë; 400 viktima të trafikut; 377 viktima të dhunës; 500 bashkëshort në prag divorci; 2500 familje të reja përfituesish. Për secilën prej kategorive të mësipërme, Ministria e Punës do të bëjë identifikimin e tyre, për të përcaktuar se cilët prej personave që bëjnë pjesë në këto grupe kanë të drejtë të marrin ndihmë ekonomike nga shteti. Kjo do të ndodh pasi projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 9355, datë 10.03.2005, ‘Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore’”, që u miratua ditën e enjte në Kuvend, të botohet në Fletoren Zyrtare, dhe pasi të kalojnë 15 ditë pas këtij akti, ligji do të nisë efektet zyrtare, për rrjedhojë edhe zbatimin në praktikë nga Ministria e Punës.
Kategoritë
Çdo kategori e re përfituese do të mund të bëhet pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, vetëm nëse plotëson kushtet e vendosura nga Ministria e Punës, në projektligjin e ri. Për jetimët dhe viktimat e trafikimit, në nenin 5 të ligjit nr.9355 “Për Ndihmën Ekonomike”, përveç familjeve që nuk kanë të ardhura ose që janë me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët mbi 25 vjeç, të papunë, të cilët nuk janë në institucione ose nën kujdestari si dhe prindërit me më shumë se 2 fëmijë, të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, janë shtuar edhe dy kategori të reja përfituesish që janë: jetimët, të cilët nuk janë në institucione dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror. Në këtë mënyrë, viktimat e trafikimit, për herë të parë në vendin tonë, pasi të dalin nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social, do të përfitojnë ndihmë ekonomike. Po ashtu, edhe bashkëshortët që janë në prag të zgjidhjes së martesës së tyre dhe gjenden në vështirësi financiare, do të bëhen pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Në projektligjin e ri “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, Ministria e Punës ka parashikuar edhe mbështetjen e atyre familjeve, ku bashkëshortët janë në proces zgjidhje martese, duke ju garantuar mbështetje me ndihmë ekonomike. Numri i rasteve të propozuar për të përfituar ndihmë ekonomike për bashkëshortët në prag divorci është 500, ndërsa efekti financiar për mbulimin e pagesave që ata do të marrin nga shteti kap shifrën 12 milionë lekë në vit.
Të favorizuarit
Më tej, në ligjin bazë të ndihmës ekonomike, pas pikës 3 të nenit 19, është shtuar edhe një pikë e re, (pika 4), ku përcaktohen pesë grupet të reja që do të favorizohen në procesin e llogaritjes së përfitimit të ndihmës. Grupet që do të favorizohen, përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë: si kryefamiljar, njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së të dy prindërve; si kryefamiljar, njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është dënuar për vepra penale ose kundërvajtje penale me vendim të formës së prerë të gjykatës, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar, njërin nga fëmijët, kur një prindi i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension si dhe kur ka anëtarë e familjes së tij janë mbi moshë pune dhe nën moshë pune të cilët nuk përfitojnë pensione. Në projektligjin e ri është riformuluar edhe përcaktimi për formën e dhënies së ndihmës ekonomike. Në këtë projektligj përcaktohet se “Ndihma ekonomike është një pagesë e përkohshme e kushtëzuar, që jepet në formën e një kësti mujor, në lekë, ose përfitimi mujor në natyrë, për kategoritë e përcaktuara në nenin 5, të këtij ligji”. Po ashtu, në këtë nen përcaktohet se “Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta nxjerr udhëzim për mënyrën e përllogaritjes së masës së ndihmës ekonomike. Ky rregullim do të krijoj mundësinë për të administruar më mirë skemën e ndihmës ekonomike, për të përcaktuar kohëzgjatjen e familjeve në skemë etj”.
Grupet që do të favorizohen gjatë procesit të llogaritjes, për përfitimin e ndihmës ekonomike
Grupet e favorizuara në projektligj përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë:
Si kryefamiljar njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së dy prindërve;
Si kryefamiljarë njërin nga fëmijët, kur njëri prej prindërve është duke vuajtur dënimin me burgim për vepra penale ose kundërvajtje penalë me vendim të formës së prerë të gjykatës, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton;
Si kryefamiljar njërin nga fëmijët, kur njërit prind i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton;
Si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizikë e mendorë, paraplegjik dhe tetraplegjik ose invalid pune dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë punë, të cilët nuk përfitojnë pension;
Si kryefamiljarë nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension;
Si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë dhe persona mbi moshë pune, pavarësisht nga të ardhurat nga pensioni apo toka;
Janë familje të ngujuara si pasojë e gjakmarrjes;
Janë familje nën nivelin e varfërisë, sipas listës së përcaktuar në aktet nënligjore përkatëse.
Kostoja financiare për kategoritë e reja
Jetimët: 800 raste x 3.000 lekë në muaj x 12 muaj = 29 milionë lekë
Viktimat e trafikut: 400 persona x 3.000 lekë në muaj x 12 muaj = 15 milionë lekë
Viktimat e dhunës: 377 x 3.000 lekë në muaj x 12 muaj = 13.6 milionë lekë
Kategoritë e reja: 2500 familje x 3.000 lekë x 12 muaj = 90 milionë lekë
Gjatë 2010-s, ndihmës ekonomike do t’i shtohet dhe paketa ushqimore
Skemën së ndihmës ekonomike, duke filluar që nga viti aktual do t’i shtohet dhe paketa ushqimore. Nga paketa ushqimore do të përfitojë çdo familje në nevojë. Paketa ushqimore do të jetë një paketë, e cila do të jepet në formë të një kuponi për familjet ekstremisht në nevojë dhe do të jepet një herë në 3 muaj, 4 herë në vit, me 2500 lekë për familje. Në projektligjin e ri “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, kushtëzimet e reja të shpërndarjes së ndihmës sociale do të krijojë mundësinë për ta administruar më mirë skemën e ndihmës ekonomike, duke përcaktuar kështu edhe kohëzgjatjen e familjeve në skemë etj. Ministria e Punës ka ndërmarrë iniciativën për hartimin e një projektligji që parashikon ndryshime të rëndësishme në ligjin aktual “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të cilat kanë të bëjnë me zgjerimin e grupeve përfituese, që do të përfshihen për herë të parë në skemë, duke u bazuar jo vetëm në kritere ekonomike, por edhe sociale, si dhe në futjen e elementëve të rinj në mënyrën e shpërndarjes së pagesës kesh me qëllim uljen e abuzivizmit.
13 Mars 2010