E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blair në fushatë

Ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair, iu bashkua sot fushatës zgjedhore në Britani, me qëllim që të joshë votuesit, të cilët janë të prirë që mos të votojnë për Partinë Laburiste, pas 13 viteve të saj në pushtet.

Që nga viti 1997, Blair ka kryesuar laburistët, të cilët mposhtën konservatorët tri herë me radhë në zgjedhje.

Por pas një dekade në funksionin e kryeministrit, Blair dha dorëheqje nga funksioni i tij në vitin 2007, duke ja hapur shtegun kryeministrit aktual, Gordon Brown.

Brown synon të kryesojë laburistët drejtë fitores së katërt me radhë, në zgjedhjet që do të zhvillohen sipas të gjitha gjasave më 6 maj.

Megjithatë, mbështetja e laburistëve në ndihmën e Blairit është një strategji mjaft e rrezikshme.

Blair konsiderohet si një orator tejet i aftë, por shumë votues ende janë të hidhëruar për shkak të vendimit të tij për t’iu bashkuar luftës në Irak.

Në anketat e opinionit publik, laburistët rreshtohen prapa konservatorëve në opozitë, por që nga janari, epërsia e konservatorëve ka filluar të shkrihet.

Anketat gjithashtu dëshmojnë se asnjëra parti nuk do ta sigurojë shumicën absolute, gjë që do t’i mundësonte Brownit që të mbetet në funksionin e kryeministrit.

Blair e lavdëroi punën e Brownit në përballjen me krizën ekonomike, duke theksuar se kriza ka kërkuar kryesim dhe se Brown e ka ofruar atë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›